KRYEFAQJA » LAJME » HIV shtohen rradhët e të infektuarve, shumica homo dhe biseksualë

HIV shtohen rradhët e të infektuarve, shumica homo dhe biseksualë

102 raste me infeksionin HIV raporton ISHP për periudhën Janar- Nëntor 2016, shifër kjo më e larta e krahasur me vitet e shkuara. Por ajo që veçojnë ekspertët epideiologe për këtë situatë, është numri mjaft i lartë i meshkujve të infektuar, 84 individë, shumica të infektuar nëpërmjet marrëdhënieve homo dhe biseksuale. Mjeku i klinikës infektive në QSUT Arjan Harxhi jep alarmin se trendi është në rritje.  “Veçori tjetër e situatës epidemiologjike është që vashdon të mbetet një infeksion i transmetueshëm në rrugë seksuale me mbi 90 përqind të rasteve, me një trend në rritje të transmetimit homo dhe biseksual, është vënë re një rritje e meshkujve të rinj që kryejnë seks me meshkuj që jane infektuar në këtë vit dhe një tregues tjetër është diagnostikimi apo identifikimi i tyre në stad të avancuar që ka disa faktorë që ja vlen të vlerësohen” tha doktor Harxhi .

Po cilat janë grupmoshat e kategorisë së homoseksuale të diagnostikuar me HIV?

“Mosha është 20-30 vjeç. Janë meshkuj te rinj të cilët paraqesin sjellje të rrezikshme, partnerë të shumfishtë, mospërdorim të kondomit, partnerë kazualë, gjë që tregon se duhet treguar më shumë vëmëndje në drejtim të politikave, strategjive dhe plan-veprimeve për parandalimin tek kjo grup-popullate që në kontekstin shqiptar është e vështirë për tu aksesuar për shkak të stigmës dhe diskriminimit” spjegon mjeku i klinikës infektive në QSUT Arjan Harxhi

Vitin e kaluar 14 persona gjetën vdekjen nga kjo sëmundje duke e çuar në 185 numrin e përgjithshëm të fataliteteve , shifër kjo që flet për një stad të avancuar të diagnozës. Ndonëse Shqipëria konsiderohet vend me prevalencë të ulët , krahasuar me vendet e rajonit kemi shifra shumë të larta të pranisë së infeksionit.Që nga fillimi i epidemisë e deri më sot numërohen 984 raste , 704 meshkuj dhe 280 femra.