KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shuhet akademiku profesor Alfred Uçi
Shuhet akademiku Alfred Uçi

Shuhet akademiku profesor Alfred Uçi

Akademia Shqiptare e Shkencave njoftoi me dhimbje dhe trishtim ndarjen nga jeta të akademikut prof. Alfred Uçit, i konsideruar si një nga emblemat më të çmuara te kulturës shqiptare. I edukuar që fëmijë me idealet atdhetare te gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi dhe korifenjve të tjerë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Alfred Uçi u përfshi në Lëvizjen antifashiste që në moshen 14-vjeçare. Pas çlirimit ai ndoqi shkollën e mesme në Korçë, Tiranë e Shkodër, ndërsa gjatë viteve 1949-1954, ndoqi studimet e lartat për estetikë e filozofi,në Universitetin “Lomonosov” të Moskës.
Detyrën e pedagogut e nisi në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Me krijimin e Univesitetit të parë shqiptar, në Tiranë, mbajti leksione për lëndët e estetikës e të filozofisë në disa fakultete të tij.
Në vitin 1970 iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”, kur u krijua Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Profesor Uçi ka kryer edhe detyra të rëndësishme shtetërore. Ai ka qenë për gati dhjetë vjet drejtor i Institutit të Kulturës Popullore dhe mëtej kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve.
Aktivitetin e tij kërkimor shkencor, profesor Alfred Uçi e ka mishëruar në mjaft vepra të rëndësishme. Ato nisin me “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kultures” (1986),”Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 1987-1988), “Shekspiri në botën shqipare” (1996), “Dostojevski në kohën tone” (1997), “Ferrparajsa Danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998), “Grotesku kadarean”(1999), “Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001), “Estetika e groteskut”-në tre vëllime. Libri më i ri i tij është ai me titullin “Ese dhe etyde filozofike-estetike”(Tiranë, 2015). Nisur nga kontributi i tij i shtrirë në disa dekada, profesor Alfred Uçi, konsiderohet si një nga emblemat më të çmuara te kulturës shqiptare.