KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shuhet Tërshana, zëri brilant i muzikës së lehtë shqiptare
Shuhet Tërshana, zëri brilant i muzikës së lehtë shqiptare

Shuhet Tërshana, zëri brilant i muzikës së lehtë shqiptare

Një nga zërat më brilantë të muzikës së re shqiptare, këngëtari Tonin Tershana është shuar të martën në mbrëmje në moshën 66 vjeçare në Tiranë, bënë të ditur burime pranë familjes së tij. Prej disa kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Karierën e tij këngëtari me origjinë nga Shkodra, e nisi katër dekada më parë në Festivalin e 4-t të këngës në RTSH, ku me këngën “Kur vjen pranvera” u nderua me çmimin e parë. Ndër vite Tonin Tërshana ka qenë një ndër zërat më të spikatur të muzikës së lehtë shqiptare. Pjesmarrës në 20 festivale të këngës në RTSH, ai ka merituar katër herë çmimin e parë, si dhe shumë çmime të tjera në anketa të ndryshme muzikore.
Vitet e tranzicionit kanë qenë mjaft të vështira për Tonin Tërshanën dhe familjen e tij. Si mjaft shqiptarë ai humbi kursimet e jetës së tij dhe shtëpine në firmat piramidale dhe pas viti 1997 u detyrua të mërgonte në Greqi. Pak ditë më parë ai ishte protagonist i një aktiviteti të Bashkisë së Tiranës, kreu i ri të cilës Erion Velia, i dorezoi çelsat e një banese sociale në kuadrin e një programi për të pastrehët në Tiranë. Këngëtari i madh dukej mjaft i gëzuar, por edhe tepër i prekur dhe lodhur nga historia e jetës së tij. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj Tërshanës, zëri i të cilit ka mbetur thellë në fondin e muzikës së lehtë shqiptare, presidenti Topi e ka nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.