KRYEFAQJA » LAJME » Si sot 8 vjetë më parë ndodhi Tragjedia e Gërdecit
Si sot 8 vjetë më parë ndodhi Tragjedia e Gërdecit

Si sot 8 vjetë më parë ndodhi Tragjedia e Gërdecit

Sot përkujtohet 8 vjetori i tragjedisë së Gërdecit, ndër më të dhimbshmet e Shqipërisë postkomuniste. Më 15 mars 2008 nga shpërthimi i një impianti për demontimin e armëve në Gërdec, pak kilometra larg Tiranës, të paktën 26 persona, midis tyre edhe fëmijë humbën jetën, ndërsa rreth 300 u plagosën. Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi totalisht disa banesa dhe biznese, ndërsa shumë të tjera u dëmtuan seriozisht. Sipas vlerësimeve të autoriteteve shtetërore ato kapën shifrën e mbi 20 milionë eurove.
Tragjedia e Gërdecit u kthye në atë kohë, por edhe me vonë një nga temat më të nxehta të debatit midis maxhorancës së djathtë dhe opozitës së majtë. Kjo e fundit akuzoi drejtëpërdrejtë kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha si përgjegjësin kryesor të ngjarjes, por ai vazhdimisht i hodhi poshtë ato.
Disa procese gjyqësore ndaj personave të konsideruar përgjegjës për këtë ngjarje u mbyllën me dënime afatshkurtra dhe sot askush nuk vuan dënimin. Familjarët e viktimave vazhdojnë ende të kërkojnë drejtësi për humbjen e jetëve të të afërmve të tyre. Akuzat më të shumta ata i formulojnë ndaj gjykatave që sipas tyre nuk dhanë dënimet e duhura për përgjegjësit kryesorë të tragjedisë.
Ndërkaq edhe polemikat mes partive politike për këtë ngjarje duket se kanë shkuar drejt shuarjes, duke bërë që 15 marsi i 2008, të kujtohet sa herë afrohet kjo datë.