KRYEFAQJA » LAJME » “Simfonia e jetës” sjell “Unë jam shpresë”
"Simfonia e jetës" sjell "Unë jam shpresë"

“Simfonia e jetës” sjell “Unë jam shpresë”

Në vitin e 7-të të organizimit Programi “Simfonia e jetes” vjen këtë vit për të gjitha gratë e vajzat e dhunuara me mesazhin “Unë jam shpresë”. Në mbështetje të projektit të Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës organizuar nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ky aktivitet artistik, u nderua nga emra të shquar të artit dhe muzikës shqiptare, Reshat Arbana, Aurela Gace, Alban Skenderaj e Marsela Cibukaj. Ministri Blendi Klosi, pjesëmarrës në këtë aktivitet, theksoi se pavarësisht se nuk mund të ndihmohen të gjitha, ndihma e gjithësecilit prej nesh mund të jetë gjithçka për gratë e vajzat e dhunuara. Fondet e mbledhura nga ky aktivitet, do të shkojnë për të ndihmuar në strehimin dhe sigurimin e kushteve të jetesës për këto gra e vajza dhe familjet e tyre.
Sipas të dhënave në Shqipëri çdo vit rreth 2600 gra dhe vajza kërkojnë mbrojtjen e autoriteteve nga keqtrajtimi në familjet e tyre, por mendohet se numri është më i madh. Situata bëhet më dëshpëruese kur disa prej tyre mbeten viktima të kësaj dhune. Në vitin 2006, parlamenti shqiptar miratoi ligjin e parë për dhunën në familje në Shqipëri, i cili më pas ka ardhur duke u pasuruar me ligje të tjerë, por situata vazhdon ende të mbetet shqetësuese.