KRYEFAQJA » LAJME » Simoni: Duhet një pushtet gjyqësor më i qëndrueshëm, më i fortë e më efiçent

Simoni: Duhet një pushtet gjyqësor më i qëndrueshëm, më i fortë e më efiçent

Gjykata e Krimeve të Rënda do të pushojë së funksionuari. Vendin e saj do ta zërë Gjykata Speciale e cila pritet të trajtojë çështjet e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar. Sander Simoni kryetar i kësaj gjykate, në një interviste për Televizionin Publik Shqiptar, deklaron se në 12 vite, kjo trup gjyqësore ka trajtuar çështjet me sensitive dhe me rrezikshmëri të lartë.
“Kam përballuar çështjet më të rëndësishme, organizatat kriminale, bandat e armatosura, grupet e strukturuara, trafikantë, persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe çështjet që janë trajtuar me sukses, gjyqtarë që kanë qënë të kërcënuar, shantazhuar në jetën e tyre, në jetën e tyre familjare, dhe për rrjedhojë ky grup gjyqtarësh është një target i mjaftueshëm për gjykatën tjetër”, tha zoti Simoni.
Në këtë këndvështrim si dhe zhvillimeve të pritshme pas miratimit të Reformës në drejtësi, gjyqtari Simoni ka propozuar që kjo gjykatë të vijojë punë. Por në draftin e fundit të prezantuar nga ekspertët kjo kërkesë nuk gjeti mbeshtetje. Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, shpreh dyshimin se mungesa e një institucioni të tillë do të cënojë proceset gjyqësore të çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, trafikimin dhe terrorrizmin.
“Gjatë viteve të fundit janë trajtuar me sukses një kategori çështjesh ku subjekt kanë qënë gjyqtarë e prokurorë të sistemit vendor. Kemi një kategori procedimesh për funksionarë, gjyqtarë e prokurorë. Gjithashtu pranë kësaj gjykate janë përafërsisht dhjetë grupe të strukturuara kriminale, organizata e persona të cilët janë akuzuar për akte terroriste, kryerjen e akteve terroriste, ose të pjesëmarrjes së veprimeve luftarake jashtë shtetit. Pushimi i funksionimit të kësaj gjykate dhe krijimi i një gjykate tjetër, e fokusuar vetëm në çështjet e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar, mund të dëmtojë trajtimin e çështjeve të krimit të rëndë, të veprave penale, ato të trafikimit dhe ato të anti-terrorrizmit” mendon zoti Simoni.
Sipas Kreut të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në legjislacionin e vitit të kaluar, kësaj gjykate ju shtuan kompetencat për gjykimin e çështjeve që lidhen dhe me korrupsionin tek gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët publikë dhe të zgjedhurit vendorë. Si argument zoti Simoni jep dhe shifra konkrete të numrit të lartë të çështjeve që janë shqyrtuar nga kjo gjykatë.
“Numri i kërkesave në fazën e hetimit paraprak për vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, është rritur në masën 100 përqind. Ndërsa numri i çështjeve është rritur në masën 60 për qind, dhe krahasuar me numrin e të pandehurve, ka qënë më i madh se në vitet e kaluara. Ne besojme se ajo që diskutohet dhe proklamohet të jetë e vërtetë, që qëllimi i kësaj reforme të jetë pastrimi i gjyqësorit dhe sistemin e drejtësisë në tërësi, dhe jo vetëm gjyqësori, nga elementët e dyshuar apo korruptuar, si dhe për të krijuar premisat e një pushteti gjyqësor më të qëndrueshëm, më të fortë e më efiçent” thotë për RTSH kreu i deritanishëm Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni.