KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Singapor, Rama fton biznesin vendas të investojë në Shqipëri

Singapor, Rama fton biznesin vendas të investojë në Shqipëri

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka ftuar biznesin e Singaporit të investojë në Shqipëri. Zoti Rama e bëri ftesën e tij gjatë një forumi ekonomik midis dy vendeve, ndërsa po viziton një nga vendet më të zhvilluara të Azisë dhe botës. Distanca si pengesë për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Singaporit mund të tejakalohet dhe ekzistojnë të gjitha mundesitë për të shfrytëzuar avantazhet e ofruara nga ekonomitë e dy vendeve, tha kryeministri Rama. Ai u shpreh se aktualisht është momenti më i mirë për të investuar në Shqipëri, çka dëshmohet edhe nga renditja e saj në vendin e 58-të në botë në raportin e “Doing Business”. Për kryeministrin Rama, Shqipëria është duke lëvizur nga një model zhvillimi i udhëhequr nga konsumi, në një model të ri, të drejtuar nga investimet dhe eksporti, dhe ku investimet e huaja jane vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Duke identifikuar fushat e interesit ku mund të shtrihet bashkëpunimi ekonomik, zoti Rama tha se Shqipëria është një vend me një potencial shumë të lartë hidroenergjetik, por jo vetëm. “Vendi ynë është shumë i pasur me naftë onshore, një vend nga ku po kalon linja e re Trans-adriatike e gazit dhe një vend ku besojmë se më herët sesa vonë, edhe gazi do të jetë një burim i rëndësishëm, sipas disa të dhënave që kemi marrë nga disa eksplorime të bëra onshore në vend. Shqipëria është një vend i pasur në minerale dhe ne po shohim shume investime ne kete sektor” tha zoti Rama për biznesmenët e Singaporit.
Ndërkohë ai veçoi turizmin, si një tjetër fushë e cila ofron mundësi të jashtëzakonshme për investime. “Më lejoni t’ju jap vetëm një të dhënë nga viti i kaluar. Kemi pasur një kërkesë 25 herë më të madhe, sesa ajo që mund t’u ofronim atyre që donin të vinin në vendin tonë, sepse kemi ende shumë nevojë për të investuar në infrastrukturën e hotelerisë. Edhe aty ka një potencial shumë të madh. Kjo edhe për faktin se më shumë se 120 milionë turistë që kishin si destinacion Afrikën veriore po lëvizin, për arsye sigurie, drejt destinacioneve të tjera” tha zoti Rama.
Sektorë të tjerë si shumë fitimprurës, kryeministri Rama përmendi bujqësinë, sektorin e agro-përpunimit, ku investimet behen akoma dhe me te lehta edhe falë taksimit shumë të ulët të ketij sektori.​