KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Sipërmarrësit pro ndryshimeve në ligjin për dhomat e tregëtisë

Sipërmarrësit pro ndryshimeve në ligjin për dhomat e tregëtisë

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë nënshkroi të martën një deklaratë me të cilën iu drejtohet komisioneve parlamentare të parlamentit për përshpejtimin e procesit të diskutimit e miratimit të p/ligjit “Për dhomat e tregtisë”. Nënshkrimi u bë pas një tryeze diskutimi të zhvilluar të martën në Tiranë. BDHTI doli në konkluzionin se qëndrimet e veçuara të grupeve të interesit, të paunifikuara në mënyrë integrale me të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë prodhuar situata kaotike në aspektin e përfaqësimit të sipërmarrjes pranë qeverisë dhe kanë prodhuar vetëm dështim për të arritur objektivat e dëshiruara. Gjatë 2 viteve të fundit edhe pse në mungesë të theksuar të buxhetit, dhomat e tregtisë kanë luajtur një rol kyç dhe të rëndësishëm në adresimin dhe zgjidhjen e mjaft problematikave të krijuara nga administrata shtetërore, por jo vetëm.
Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, citohet më tej deklarata, ka përgatitur një strategji të qartë të ristrukturimit të brendshëm të tërë sistemit të dhomave, me qëllim rritjen e mëtejshme të rolit të dhomave dhe të impaktit të tyre, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe standardizimin e tyre në tërë sistemin e dhomave të tregtisë, si dhe gjithëpërfshirjen e sipërmarrjes në vendimmarrje dhe ndërgjegjësimin e tyre për përfitimet që mund të kenë si anëtarë të dhomës.