KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri, dërgimi i ndihmave humanitare
siri

Siri, dërgimi i ndihmave humanitare

Shtetet e Bashkuara po shtojnë trysninë mbi aleatin kryesor të Sirisë, Rusinë, që Moska të përdorë ndikimin e saj për dërgimin e ndihmave humanitare për zonat që ndodhen të rrethuara nga forcat e presidentit Bashar al-Asad. Departamenti i Shtetit tha se i ka kërkuar Rusisë të përdorë avionët e saj ushtarakë në Siri për dërgimin e ndihmave. Programi Botëror i Ushqimit ka punuar mbi një plan për të hedhur nga ajri ushqime dhe ilaçe për komunitetet siriane, por plani kërkon lejen e regjimit sirian. Të mërkurën një zëdhënës i OKB-së, tha se regjimi sirian kishte dhënë leje për autokolona me ndihma për tre zona të rrethuara. Ndërprerja e luftimeve dhe shpërndarja e ndihmave humanitare janë pikat kryesore të një plani më të gjerë, i përkrahur nga Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë, për një tranzicion politik në këtë vend.