KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri, dorëhiqet kryenegociatori i opozitës

Siri, dorëhiqet kryenegociatori i opozitës

Kryenegociatori i opozitës siriane, Mohamed Alloush, është dorëhequr nga procesi i bisedimeve për paqe në Siri, i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara. Alloush, nga Komiteti i Lartë Negociator, ka thënë se bisedimet nuk kanë sjellë marrëveshje politike dhe nuk kanë lehtësuar gjendjen e sirianëve në zonat e rrethuara. “Të tre raundet e bisedimeve kanë qenë të pasuksesshme, për shkak të kokëfortësisë së regjimit dhe bombardimeve të vazhdueshme kundër popullit sirian”, ka thënë Alloush. Komiteti i Lartë Negociator, i mbështetur nga Arabia Saudite, për muaj të tërë ka shprehur zhgënjim në lidhje me përparimin e bisedimeve të Gjenevës. Ai ka kritikuar mungesën e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara, lirimin e ngadalshëm të të burgosurve politikë dhe mungesën e lëvizjes drejt një tranzicioni politik në Siri, pa presidentin Bashar al-Assad. Armëpushimi mbarëkombëtar mes rebelëve dhe forcave qeveritare, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, është ende në fuqi, por shkelet shpesh. Dorëheqja e Alloushit mund të nxisë braktisje të tjera të grupit negociator.