KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri: Rifillojnë bombardimet

Siri: Rifillojnë bombardimet

Evakuimi i rebelëve nga Aleppoja lindore, që pritej të fillonte gjatë mesnatës së të martës, është shtyrë pasi një zyrtar i forcave opozitare ka fajësuar Iranin dhe milicitë shiite aleate të presidentit Bashar al-Assad për rifillimin e bombardimeve dhe përdorimin e armatimeve të rënda, përfshi tanket. Armëpushimi i arritur me ndërmjetësimin e Rusisë, aleatit më të fuqishëm të Assadit, dhe Turqisë u duk se do t’i jepte fund luftimeve 4-vjeçare për kontrollin e qytetit, si dhe i dha një fitore tepër të rëndësishme udhëheqësit sirian në konfliktin civil mbi 5-vjeçar të vendit. Forcat siriane nisën bombardimin e zonave të kontrolluara nga rebelët mëngjesin e sotem, në atë që Rusia tha se ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se rezistenca e rebelëve do të marrë fund brenda dy apo 3 ditëve të ardhshme. Zyrtarë të aleancës ushtarake që lufton në mbështetje të Assadit nuk kanë qenë të disponueshëm për të komentuar arsyet pse është shtyrë evakuimi i civilëve dhe rebelëve nga zonat e fundit të kontrolluara prej tyre. Turqia fajësoi forcat e qeverisë siriane dhe grupe të tjera, se po përpiqen të pengojnë marrëveshjen për evakuim, ndërsa tha se duhet të zhvillohen më shumë bisedime me Rusinë dhe Iranin. Burime të forcave rebele fajësojnë pikërisht Republikën Islamike për pengesat e fundit.Rinisja e sulmeve është dënuar menjeherë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ,e cila u ka bërë thirrje palëve që t’i përmbahen marrëveshjes së arritur.