KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri, sulmohet autokolona e ndihmave humanitare
Siri, sulmohet autokolona e ndihmave

Siri, sulmohet autokolona e ndihmave humanitare

Kombet e Bashkuara pezulluan të gjitha ndihmat humanitare në Siri, pas një sulmi vdekjeprurës në kamionet me furnizime, në qytetin verior të Alepos. Zëdhënësi i çështjeve humanitare të OKB-së, tha se pezullimi do të vleje deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë. Ndërkaq SHBA-të shprehen “zemërimin” për sulmin mbi autokolonën e ndihmave në Alepo të Sirisë. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, 12 persona janë vrarë në këtë sulm. Kombet e Bashkuara konfirmuan se autokolona është sulmuar pranë lagjes Urm al-Kubra. Aktivistët thanë se sulmi ajror ka goditur kamionet disa orë pasi ushtria e shpalli të përfunduar armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia. Uashingtoni, nga ana tjetër, tha se “do të rivlerësoje perspektivat e ardhshme për bashkëpunim me Moskën”.“Destinacioni i kësaj autokolone ka qënë i njohur për regjimin sirian dhe Federaten Ruse”, tha zëdhënësi i departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby. “Por sërish, këta punëtorë të ndihmës u vranë në përpjekjet e tyre për të ndihmuar popullin sirian”, shtoi ai. Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, tha se sulmi është kryer ose nga avionet siriane, ose nga ata ruse, por Damasku nuk ka komentuar. Shefi për ndihma i OKB-së, tha se nëse sulmi del se ka qënë i qëllimshëm, do të përbëje krim lufte. Të paktën 18 nga 31 kamionet janë goditur, ndërsa ishin nisur për të shpërndarë ndihma për rreth 78,000 njerëz. Sulmi sinjalizoi dështimin e përpjekjeve të fundit nga SHBA dhe Rusi për të ndalur dhunën në Siri, me ushtrinë që deklaroi dështimin e armëpushimit.