KRYEFAQJA » LAJME » Sirianët mbërrijnë në Konicë
Sirianët mbërrijnë në Konicë

Sirianët mbërrijnë në Konicë

162 refugjatë shumica sirianë, janë transportuar nga autoritetet greke të premten me autobuzë nga porti i Pireut në qytetin grek të Konicës, 12 kilometra larg pikës kufitare të Tre Urave, midis Shqipërisë dhe Greqisë, njoftojnë burime të ndryshme informacioni. Sipas tyre ata janë strehuar në disa godina që autoritetet greke i kanë përshtatur për refugjatë. Banorët e zonës ju kanë ofruar menjëherë ndihma të ndryshme, veçanërisht ushqime e veshmbathje. Media të ndryshme sjellin pamje të dhimshme të njerëzve të lodhur, shumica , fëmijë gra dhe pleq që ju drejtohen qendrave të pritjes. Mbërritja e refugjatëve në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, ka rritur spekulimet mediatike se është çështje ditësh që refugjatët do të hyjnë në Shqipëri. Ka patur njoftime për bisedime sekrete mes Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë që refugjatët të kalojnë nga Greqia përmes Shqipërisë e më pas drejt Italisë, por këto janë hedhur poshtë nga autoritetet shtetërore të të tre vendeve. Aktualisht në Greqi gjenden afërsisht 42 mijë refigjatë. Zyrtarët shqiptarë nga ana e tyre kanë deklaruar se po e monitorojnë vazhdimisht situatën në të gjithë kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.