KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Situata në Alepo: Rebelët në pritje të evakuimit, mbyllet lufta pas 4 vitesh

Situata në Alepo: Rebelët në pritje të evakuimit, mbyllet lufta pas 4 vitesh

Konflikti në Siri duket një makth i vërtetë. Të gjithë civilët dhe rebelët të cilët do të evakuoheshin për t’i shpëtuar bombardimeve janë bllokuar në Alepo. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se autobusët janë dërguar por asnjë person nuk ka arritur të largohet. Në Ankara të Turqisë është ndërtuar një kamp ku do të priten 80 mijë sirianë. Janë civilët ata që po e përjetojnë më shumë konfliktin pasi përdoren si mburoja nga rebelët dhe bien pre e sulmeve. Mesazhet e dërguara në rrjetet sociale nga banorët janë rrëqethëse ku bëjnë thirrje se vdekja është shumë afër dhe shtëpitë e tyre janë kthyer në varre. Marrëveshja mes palëve u arrit kur ushtria mori nën kontrroll të gjithë qytetin duke i dhënë fund rezistencës së rebelëve. Presidenti Bashar Al Assad deklaron se dëshiron t’i largojë përfundimisht rebelët. Organizatat ndërkombëtare, kancelarja Merkel, presidenti francez Holande jo vetëm kanë dënuar vrasjet e civilëve por kanë bërë thirrje që popullsia të evakuohet sa më shpejt. Ndërsa Moska këmbëngul se çlirimi i pjesës Lindore të Alepos ishte një sukses i trupave siriane. Kjo pjesë e Alepos ka qenë në duart e rebelëve që në vitin 2012. Kanë qenë forcat qeveritare të mbështetura sidomos nga Rusia të cilat kanë larguar një pjesë të mirë të rebelëve. Rimarja në dorë e Alepos mund të konsiderohet një fitore e madhe për Presidentin Bashar al-Assad dhe një humbje shokuese për rebelët, duke qënë se qyteti ishte konsideruar si zemra e rezistencës ndaj forcave qeveritare. Megjithatë, në shumë qytete të tjera ka ende grupime militante që mbajnë qëndrim kundër qeverisë. Siria ka ende probleme madhore, ku kryesori mbetet luftimi i organizatës terroriste të Shtetit Islamik. Por cfare lane pas luftimet ne Aleppo? Një xhami e lashtë që dikur qëndronte me krenari në qendër të qytetit është shndërruar në rrënoja. Imazhet dramatike të objektit të kultit që dikur njihej si xhamia Umajad, i njohur gjithashtu si “Xhamia e Madhe” kanë zbuluar se si ajo tani është kthyer tërësisht në rrënoja. Disa nga muret rrethuese të ndërtesës e cila ka qenë në listën e objekteve të mbrojtura nga UNESCO janë shkatërruar. Por Xhamia e Madhe nuk është objekti i vetëm i kthyer në rrënoja, thuajse i gjithë qyteti historik në Siri ka të njëjtin fat. Prej më shumë se 4 vitesh Alepo ka qenë e ndarë në dy pjesë. Ana perëndimore ishte ne duart e forcave qeveritare, ndersa lindja kontrollohej nga rebelët.