KRYEFAQJA » LAJME » Situatë e vështirë nga rreshjet
Situatë e vështirë nga rreshjet

Situatë e vështirë nga rreshjet

Rreshjet e shumta të së dielës kanë provokuar një situatë të vështirë në qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Një shtetas ka humbur jetën në Dibër ndërsa ishte duke pastruar një kanal uji në një hidrocentral lokal.
Ka patur përmbytje nga uji, mungesë energjie elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve dhe vështirësi të tjera. Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë, të cilat po marrin masa për të përballuar situatën.
Në Tiranë zonat e prekura nga përmbytjet janë : Bathore, Paskuqan, Frutikulturë, Valias. Policia ka ndërhyrë duke evakuar disa familje. Probleme ka patur në autostradën Tiranë-Durrës, ku prania e ujit ka vështirësuar qarkullimin.
Në Qarkun e Kukësit për shkak të rreshjeve ka pasur ndërprerje të energjisë dhe inerte në mjaft prej akseve rrugore. Nga erërat e forta është dëmtuar në disa vende edhe sinjalistika rrugore.
Në Qarkun e Dibrës problem mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi ka disa fshatra ku ajo mungon.
Në Qarkun e Durrësit problemet më të rënda janë konstatuar në Fushë-Krujë përkatësisht në fshatrat Zezë, Tapizë, Nikël pati fryrje të lumit Zezë. Në Fushë-Krujë pati fryrje të lumit tek ura kryesore e qytetit. Në zonën e Cudhisë ka rrëshqitje dheu në rrugën e Bruz Malit dhe të Shkretës. Hidrovori i Porto Romanos dhe ai Hamallaj janë në gatishmëri.
Burime të OSHEE njoftojnë se ekipet e posacme po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda një kohe të shkurtër. Të paktën 1650 punonjës janë në terren. Aktualisht po furnizohen me energji elektrike të gjithë hidrovoret dhe qendrat spitalore.