KRYEFAQJA » LAJME » Skënderbeu: Fajin e kanë mediat, por ne shpresojmë tek CAS
Skënderbeu në KAS, pritet vendimi

Skënderbeu: Fajin e kanë mediat, por ne shpresojmë tek CAS

Ndonëse askush nuk ka pranuar të flasë para mediave dhe të japë shpjegime, Klubi i Skënderbeut vazhdon të reagojë nëpërmjet deklaratave për shtyp, të afishuara në profilin zyrtar të kampionëve në fuqi në rrjetin social, “Facebook”. Në deklaratën më të fundit, drejtuesit e klubit sqarojnë opinionin publik dhe ambjentin sportdashës në Korçë se Skënderbeu nuk është dënuar absolutisht për asnjë ndeshje specifike ndryshe nga çfarë shkruhet sot. “Vendimi vjen si pasojë e një hetimi për 6 vitet e fundit, – thekson deklarata, duke vijuar: “Raporti dhe vendimi nuk ka asnjë fakt se klubi ynë ka trukuar, por kemi të bëjmë me aludime, burimet e të cilave janë mediat shqiptare dhe rrjetet sociale. Shumica këtyre ndeshjeve të dyshuara kanë dështuar të trukohen dhe ky është një fakt. Klubi ynë, nisur nga ky raport i mbushur me aludime dhe aspak i faktuar shprehet i bindur se fitorja e madhe do vijë në CAS, atje ku kombëtarja Shqiptare fitoi të drejtën e saj kohë më parë. Shkojmë të qetë në organin më të lartë të drejtësisë sportive”, – përfundon deklarata për shtyp e Klubit të Futbollit “Skënderbeu”.