KRYEFAQJA » LAJME » Skënderbeu merr tre pikët e para në Ligën e Europës
Skënderbeu merr tre pikët e para në Ligën e Europës

Skënderbeu merr tre pikët e para në Ligën e Europës

Skënderbeu i Korçës vazhdon të shkruajë me shkronja të arta historinë e vet dhe të futbollit shqiptar për klube në arenën ndërkombëtare. Kuqebardhët shkatërruan në Elbasan Arena Sportingun e Lisbonës me rezultatin 3-0. Që në fillim korçarët shprehen agresivë. Aksioni i golit fillon me Berishën i cili me një shpejtësi rrufe i afrohet zonës së rreptësisë, pason brenda zonës për Olayinika-n i cili e hedh te Esquerdinha që gjuan me forcë por grushton Rui Patricio, e hedh topin në qendër të zonës së rreptësisë dhe pranë pikës së 11-metrave shënon Lilaj. Është minuta e 15-të. Dy minuta më vonë është çasti kur Rui Patricio pengon brenda zonës Latifin dhe gjyqtari estonez Kristo Tohver jep 11-metërsh për Skënderbeun dhe karton të kuq për portierin e Sportingut dhe të kombëtares portugeze. Rui Patricio nuk ka fatin që pati dy muaj më parë (7 shtator) po në Elbasan Arena, kur skuadra e tij mundi kombëtaren kuqezi. Është përsëri Lilaj por këtë radhë gjuan nga pika e bardhë, poshtë ngjitur me shtyllën e krahut të djathtë të portierit Marselo dhe 2-0 në minutën e 19-të. Skënderbeu mbrohet portugezët janë të paqërtë në lojë. Në fundin e pjesës së parë përpiqet Montero por Shehi është i vëmendshëm dhe e grushton topin.

Edhe pjesa e dytë fillon me lojë të mirë nga korçarët. Lojtarët kuqebardh mbrohen dhe kundërsulmojnë. Një gabim trashanik i portierit Marselo, i cili pasi ka dalë nga zona e rreptësisë godet keq topin, bën qe Nimaga të gjuaj nga rreth 30 metra dhe të shënojë golin e tretë në minutën e 55-të. Edhe në minutat në vazhdim Skënderbeu vazhdon të këkojë golin por nuk është më ajo qartësi në lojë dhe lodhja fillon të ndjehet. Skënderbeu pas kësaj fitoreje vazhdon të ngelet në vendin e katërt në Grupin H. Ndeshja tjetër ishte Beshiktash – Lokomotiva e Moskës e cila përfundoj në barazim 1-1. Lokomotiva është në vendin e parë me 8 pikë e ndjekur nga Beshiktashi me 6, Sportingu 4 dhe Skënderbeu me 3. Ndeshjen e ardhshme Skënderbeu do ta zhvillojë në Stamboll kundër Beshiktashit me 26 nëntor në orën 19:00.