KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sllovakia merr presidencën e BE-së, prioritetet në kryesimin 6-mujor

Sllovakia merr presidencën e BE-së, prioritetet në kryesimin 6-mujor

Rritja ekonomike, tregu i përbashkët dixhital, krijimi i një bashkimi për energjinë, migrimi dhe zgjerimi i BE-së janë disa nga prioritetet e Sllovakisë në kryesimin 6-mujor të radhës që mori dje. Sllovakia e mori në një moment të vështirë presidencën e radhës së BE-së pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar. Sllovakia ka miratuar në shkurt të këtij viti edhe strukturën e programit të Presidencës, ku në fokus janë vendosur disa nga çështjet kryesore si rritja ekonomike, tregu i përbashkët dixhital, krijimi i një bashkimi për energjinë, migrimi, por edhe zgjerimi i BE-së. Sllovakia do të thellojë më tej bashkimin ekonomik dhe monetar që do të ndihmojnë për rritjen e konkurrencës. Negociatat për buxhetin e Bashkimit për vitin 2017 dhe ndërtimin e bashkimit të tregjeve të kapitalit gjithashtu do të zënë vend në krye të programit ekonomik. Për sa i takon ndërtimit të tregut dixhital, Sllovakia do t’i japë përparësi eliminimit të pengesave të ekonomisë dixhitale, lehtësimit të përdorimit të shërbimeve elektronike dhe qasjes në treg, disponueshmërisë së përmbajtjes elektronike, si dhe nivelit të lartë të mbrojtjes së konsumatorit. Në fushën e migrimit, Presidenca sllovake do të synojë fillimisht zbatimin e politikave të BE-së për mbrojtjen e kufijve të jashtëm dhe integritetit të zonës Shengen. Presidenca po planifikon t’i japë përparësi programeve pozitive, si paketa “Smart Borders”, që synon të kontribuojë në luftën kundër migrimit të parregullt dhe përshpejtimin e kohës së trajtimit të pasagjerëve përmes përdorimit të teknologjive moderne. Vatrat e tensionit në vendet fqinje të BE-së janë gjithashtu ndër sfidat me të cilat ndeshet Bashkimi Evropian. Duke qënë se politika e zgjerimit të BE-së përfaqëson instrumentin më efektiv të ndryshimit pozitiv në lidhje me këtë, Sllovakia do të përpiqet ta ruajë vrullin dhe besueshmërinë e këtij procesi.