KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sofje: Mbledhje e përbashkët e qeverive të Greqisë dhe Bullgarisë
borisov cipras

Sofje: Mbledhje e përbashkët e qeverive të Greqisë dhe Bullgarisë

Qeveritë e Greqisë dhe Bullgarisë mbajtën sot një mbledhje të përbashkët në Sofie. Ky është takimi i tretë i nivelit të lartë të të ashtuquajturit Këshilli i Lartë i bashkëpunimit mes dy qeverive. Kryeministri grek Aleksis Cipras dhe homologu i tij bullgar Bojko Borisov mbajtën së pari bisedime dypalëshe lidhur me sigurinë kufitare, trysninë e dukurisë së emigracionit, pasojat e largimit të Britanisë nga BE-ja dhe projektet e përbashkëta energjetike. Bullgaria planifikon të marrë pjesë në një projekt për një terminal të gazit të lëngët ndërsa pas takimit të ministrave përkatës, u nënshkruan edhe marrëveshje që mbulojnë aspektin financiar, ligjor dhe teknik të këtij bashkëpunimi. Bullgaria synon të diversifikojë furnizimin me gaz që aktualisht e merr nga Rusia, duke shtuar burime nga Azerbaixhani dhe Irani, me mundësi për të shërbyer si vend tranzit për gazin drejt Evropës qëndrore. Kryeministri grek u prit edhe nga presidenti bullgar Rosen Plevneliev.