KRYEFAQJA » LAJME » Sondazhet në Greqi, “Demokracia e Re” kryesor ndaj Syriza-s
Sondazhet në Greqi, "Demokracia e Re" kryesor ndaj Syriza-s

Sondazhet në Greqi, “Demokracia e Re” kryesor ndaj Syriza-s

Partia kryesore e opozitës në Greqi, e djathta “Demokracia e Re” (ND), që zgjodhi javën e kaluar drejtuesin e ri, Kiriakos Mitsotakis, kryeson ndaj të majtës Syriza të kryeministrit Aleksis Cipras, sipas dy sondazheve të publikura këtë fundjavë, njofton AFP. Sondazhi i zhvilluar nga Instituti Alco, publikuar të dielën në të përjavshmen “Proto Thema”, vlerësoi me 21,3 për qind “Demokracinë e Re” kundrejt 18 për qind për Syrizan. Një sondazh i dytë nga “Metron Analysis” publikuar në të përditshmen “Parapolitika”, “Demokracia e Re” kryeson me 23,6 për qind nga 19,9 për qind e Syrizas.
Kjo është hera e parë që “Demokracia e Re” del mbi Syrizan, pasi një vit më parë në zgjedhjet e janarit 2015 ajo humbi një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. Syriza e kryeministrit Ciprac mori në atë kohë 36,3 për qind të votave kundër 27,8 për qind për “Demokracia e Re”, një diferencë që partia në pushtet e mbajti edhe gjashtë muaj më vonë gjatë zgjedhjeve legjislative që u zhvilluan në muajin shtator. Në atë kohë Syriza fitoi 35,4 për qind, ndërsa “Demokracia e Re” 28 për qind.
Analistët ja dedikojnë këtë ringjallje të “Demokracisë së Re” Kiriakos Mitsotakis, pinjollit të prej familjeve më të njohura dhe më me ndikim në jetën e Greqisë. Pak ditë më parë ai ka arritur një fitore të pastër për lidershipin e partisë duke siguruar mbi 51,6 për qind të votave ndaj 48,4 për qind që mori rivali i tij rivali i tij, Vangjelis Meimarakis.
47-vjeçari Kiriakos Mitsotakis, me profesion ekonomist, është djali i ish-kryeministrit historik, Konstandinos Mitsotakis dhe vëllai i ish-ministres së jashtme greke, Dora Bakojanis.
Sipas mediave greke “synimi i tij kryesor, siç edhe ai ka deklaruar, është të bashkojë forcat e djathta dhe ato të qendrës rreth Demokracisë së Re në kushtet e vështira që po kalon Greqia”. “Demokracia e Re” nuk do të jetë thjesht e bashkuar, ajo do të rinovohet. Partia e zgjeruar e qendrës së djathtë do të jetë në gjendje të paraqesë një alternativë të daljes së vendit nga kriza”, citohet të ketë thënë Kiriakos Mitsotakis.