KRYEFAQJA » LAJME » Luhet sonte derbi Partizani-Tirana

Luhet sonte derbi Partizani-Tirana

Sonte luhet derbi nr. 144 i kryeqytetit shqiptar, midis Partizanit dhe Tiranës, një ndeshje që, sikundër çdo veprimtari madhore sportive kombëtare, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Kjo sfidë, që luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, duke nisur nga ora 18:00, vë përballë njëra-tjetrës të kuqtë e drejtuar nga trajneri Agostineli, të cilët aktualisht mbajnë vendin e dytë, me bardheblutë e drejtuar nga homologu Ilir Daja, që mbajnë vendin e 3-të. Partizani ndodhet në kuotën e 49 pikëve, 4 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, por plot 10 pikë më tepër sesa rivalja kryeqytetase. Në prag të kësaj sfide, Partizani ka fituar 57 nga 143 përballjet e deritanishme, kundrejt 41 fitoreve të Tiranës, ndërsa 45 ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim, me një golaverazh prej 204 golash të shënuar nga të kuqtë dhe 160 golash të shënuar nga bardheblutë. Takimi Partizani-Tirana do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një trasmetim maratonë, që nis në ora 17:30 dhe vijon me ndeshjen në ora 18:00 dhe me intervistat pas saj deri në ora 20:00.