KRYEFAQJA » LAJME » SOT (15:00), FRANCA PËRBALLË IRLANDËS
france irlande, euro 2016, 1 e 8 finaleve, kampionati europian, ora 15

SOT (15:00), FRANCA PËRBALLË IRLANDËS

Turi i 16-shes vijon sot me 3 takime të tjera dhe, duke nisur nga ora 15:00, zbret në fushën e blertë të “Stadë dë Lionit” vendi organizator, Franca, e cila përballet me Irlandën për një vend në çerekfinale. Në fakt, francezët vijnë në këtë sfidë me ogurin e mirë se, deri më tani, në 7 ndeshjet e zhvilluara në këtë stadium, tanimë të rinovuar dhe me një emër të ri, nuk kanë pësuar humbje. Po kështu, vendasit kanë triumfuar në përballjen e fundit me irlandezët, në atë sfidë të dyfishtë të vleshme për “play-off”-in e Botërorit 2010, ku fituan 1-0 në shtëpi dhe morën një barazim 1-1 në fushë të huaj, duke u kualifikuar. Trajneri Didië Deshomp i ka kërkuar skuadrës së tij që të kapërcejë atë që ai e quan pengesën e radhës, ndërsa homologu i tihj irlandez, Martin O’Nill, shpreson që skuadra e tij të dëshmojë të njëjtën energji dhe zell që shpalosi në fitoren e ndeshjes së fundit në grup ndaj Italisë. Franca nuk ka arritur të fitojë një duel në sfidat përtej grupeve që nga Evropiani i vitit 2000 dhe Deshomp ka kërkuar nga skuadra jo vetëm të mbrohet me kujdes, pasi, sipas tij, “në këtë nivel nuk të fal askush”, por edhe të shënojë një gol dhe të mos e çojë ndeshjen në shtesë, e aq më pak në 11-metërsha.