KRYEFAQJA » LAJME » Bilanci historik në prag të Austri-Shqipëri
kombetarja

Bilanci historik në prag të Austri-Shqipëri

Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen historike në fazën finale të Evropianit 2016, Shqipëria do të përballet sonte në një ndeshje miqësore me Austrinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës duke nisur nga ora 17:00 dhe Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, ka zhvilluar mbrëmë seancën e vetme stërvitore në kryeqytetin austriak. Trajneri italian me pasaportë shqiptare ka zgjedhur t’u besojë titullarëve në këtë sfidë me një kundërshtar cilësor, që gjithashtu është kualifikuar për në fazën finale të Evropianit “Francë 2016”. Duke folur në konferencën për shtyp, De Biazi ka deklaruar se “Shqiëria do të luajë me kujdes, si gjatë Eliminatoreve”. Në vijim, 60-vjeçari ka deklaruar: “Nuk kemi frikë askënd. Ne kemi lënë pas edhe ekipe të forta në grupin tonë eliminator, siç ishte Danimarka.” Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe kapiteni kuqezi, Lorik Cana, që ka theksuar se Shqipëria ka ardhur në Vjenë për një rezultat pozitiv.

Në prag të ndeshjes miqësore, 55-vjeçari zviceran, Marsel Koler, që drejton prej 5 vitesh përfaqësuesen austriake, nuk i kurseu elozhet për skuadrën e De Biazit në konferencën për shtyp gjatë së premtes. “Shqipëria ka një ekip kompakt, të përgatitur shumë mirë nga ana taktike, – ka thënë ai, duke vijuar: “Ata kanë pësuar shumë pak gola gjatë edicionit të fundit. Është një skuadër me kualitet dhe ua “nxin jetën” kundërshtarëve. Duhet të jemi të përqendruar për përballjen me ta.” Për trajnerin e Austrisë, kjo ndeshje shihet si një test i rëndësishëm në prag të Europianit.

Edhe për arsye të bilancit historik, pritet që trajneri kuqezi t’i kushtojë fillimisht vëmendje mbrojtjes, duke menduar më pas për sektorët e tjerë të lojës. Shqipëria është përballur 6 herë ndaj Austrisë dhe ka pësuar po kaq humbje. Në fakt, në këto 6 humbje, kuqezinjtë kanë pësuar plot 17 gola, duke shënuar vetëm një herë. Për herë të parë, Shqipëria ka luajtur ndaj Austrisë më 15 nëntor të vitit 1980. Kjo ndeshje ka qenë e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 1982 dhe ka përfunduar me fitoren e thellë të austriakëve në shifrat 5-0. Më pas, në takimin e kthimit në “Qemal Stafa”, kuqezinjtë kanë humbur sërish, por këtë herë në shifrat minimale 0-1. Edhe në Eliminatoret e Europianit 1984, Shqipëria ka qenë në një grup me Austrinë dhe gjithashtu në takimin e parë ka humbur 5-0. Po kështu ka ndodhur edhe në Eliminatoret e Evropianit të 1988-ës, ku jemi mundur 3-0 jashtë dhe 0-1 në Tiranë.