KRYEFAQJA » LAJME » Sot garon Briken Calja në peshën 69 kg. Gara nis në orën 19.30
kampionati peshengritjes Sot garon Briken Calja ne peshen 69 kg. Gara nis ne oren 19.30

Sot garon Briken Calja në peshën 69 kg. Gara nis në orën 19.30

Briken Calja do të jetë peshëngritësi i radhës që do të nisë konkurrimin në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Norvegji. 26-vjeçari shqiptar konkurron sot në peshën 69 kg midis 11 konkurrentëve të tjerë. Sipas tabelës së pasqyruar në faqen zyrtare të kampionatit Evropian të Peshëngritjes, Calja ka deklaruar 333 kg në dygarësh. Nëse arrin të realizojë këtë rezultat shtangisti shqiptar mund të marrë medaljen e argjendtë pasi konkurrenti me rezultatin më të mirë në baterinë A është turku Ismailov, i cili ka deklaruar 335 kg në dygarësh, vetëm 2 kg më shumë se sportisti ynë. Gara nis në orën 19.30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në televizionin shqiptar. Gjatë fazës përgatitore në Shtërmen, Briken Calja ka treguar një formë të mirë sportive duke dhënë rezultate të mira. Pas paraqitjeve jo të mira të dy peshëngritëseve femra, Shqiponja Brahja dhe Evangjeli Veli në ditët e para të Evropianit, shpresojmë që Briken Calja të marrë medaljen e parë në këtë veprimtari. Kampionati Evropian është aktiviteti i fundit kualifikues për në Lojërat Olimpike Rio 2016, ndaj ka një rëndësi të madhe për peshëngritjen shqiptare, përsa i përket pikëve që do të marrin shntangistët. Në bazë të renditjes që do të arrijnë ata, do të përcaktohet edhe numri i pjesëmarrësve që do të përbëhet ekipi kuqezi që do të marrë pjesë në Olimpiadë.