KRYEFAQJA » LAJME » SOT LUSHNJA-BYLIS, DREJTPËRDREJT NË RRJETIN E RTSH-së
SOT LUSHNJA-BYLIS, DREJTPËRDREJT NË RRJETIN E RTSH-së

SOT LUSHNJA-BYLIS, DREJTPËRDREJT NË RRJETIN E RTSH-së

Rrjeti i Radio-Televizionit do të sjellë sot një tjetër takim të vlefshëm për javën e 6-të të grupit B të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Bëhet fjalë për sfidën midis Lushnjës dhe Bylisit, ndeshje kjo që duhet të zhvillohej të hënën, por që është shtyrë për shkak të një aksidenti ku u përfshi autobusi i skuadrës ballshiote. Kjo ndeshje, që do të luhet duke nisur nga ora 14:00 në Stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, vë përballë vendasit, që kryesojnë bindshëm renditjen e grupit, me Bylisin, që është një nga sfidantet kryesore për vendin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Lushnja kryeson në kuotën e 15 pikëve, pas 5 fitoreve në po aq takime të këtij sezoni, ndërsa Bylisi ndan vendin e 3-të, të 4-t dhe të 5-të, përkatësisht me Tomorin dhe Turbinën. Por, një fitore sot në Lushnjë do t’i ngjiste ballshiotët në vendin e dytë të renditjes, në kuotën e 11 pikëve, duke i shndërruar në ndjekës direktë të lushnjarëve. Java e 6-të e grupit B të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyllet të mërkurën pasdreke, me takimin Elbasani-Sopoti.