KRYEFAQJA » LAJME » Sot mbledhja e rradhës e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi; Çfarë thuhet në draftin e reformës për vendet e rezervuara?
Mosmarrëveshje për futjen e Reformës për Drejtësi në parlament

Sot mbledhja e rradhës e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi; Çfarë thuhet në draftin e reformës për vendet e rezervuara?

Në një kohë që pritet të zhvillohet mbledhja e rradhës e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, palët ende mbeten pa një dakordësim sa i takon çështjes së vendeve të rezervuara në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Drafti i Reformës në Drejtësi pritet që sot të diskutohet e votohet nen për nen dhe në tërësi. Por çfarë thotë ky draft për këto dy çështje që janë vënë si kusht nga opozita? Neni 33 i cili flet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, sqaron se ai përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë. Anëtari gjyqtar përzgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, ndërsa anëtari jo gjyqtar përzgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me moral dhe integritet të lartë profesional. Ndërkohë Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, sipas ligjit. Nga ana tjetër Neni 49 flet për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku në pikën 2 të tij, përcaktohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo prokurorë. Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional. Anëtarët jo prokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve jo prokurorë, sipas ligjit. Por vendet e rezervuara, si një kusht dhe propozim i opozitës për reformën në drejtësi, do të thotë që institucionet e sistemit të ndahen ndërmjet partive, pra si në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, edhe në atë Gjyqësor, secila parti të ketë përfaqësuesin e saj. Ky është njësoj si rasti i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku secila parti ka përfaqësuesit e saj, por që është ndërtuar si një organ politik, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kurrsesi nuk do të mund të funksionojnë si organe politike nëse duam një sistem drejtësie që të mos jetë i kapur nga politika.