KRYEFAQJA » LAJME » Sot në RTSH, Shqipëri-Izrael në orën 20.45

Sot në RTSH, Shqipëri-Izrael në orën 20.45

Shqipëria luan sot në mbrëmje ndeshjen e katërt në grupin G eliminator të botërorit Rusi 2018. Përballë kuqezinjve në Elbasan Arena do të jetë përfaqësuesja e Izraelit. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje me 6 pikë të barabarta. Ndaj Izraelit, trajneri Xhani De Biazi do të luajë me skemën 4-1-4-1. Me Berishën në portë, Agolli, Mavraj, Gjimshiti dhe Hysaj në mbrojtje, Kukeli organizatori i kuqezinjve, në mesfushë Abrashi, Xhaka, më të avancuar, Llullaku dhe Memushaj të cilët do të ndihmojnë Balajn të vetëm në sulm. Duke parë këtë modul loje duket se misioni i skuadrës sonë në këtë sfidë është mbrojtje hermetike dhe synim me goditje të befasishme në sulm, në rastet që do të krijohen. Trajneri De Biazi si dhe lojtarët tanë në konferencat për shtyp kanë deklaruar se ndaj Izraelit kërkojnë vetëm fitoren. Ndërkohë që trajneri i Izraelit, Levi u shpreh një ditë më parë se do të ishte i kënaqur me një barazim. Por duke parë formacionin dhe skemën me të cilën do të luajë kundërshtari ynë 4-3-3 duket se synimi i tyre është krejt ndryshe. Në portë do jetë Goresh, në mbrojtje, Dasa, Gershon, Tzedek dhe Ben Harush, në mesfushë, Kohen, Lavi dhe Natko, ndërsa në sulm Zahavi, Hemed dhe Ben Haim. Pikat më të forta të Izraelit mbeten kundërsulmi dhe goditjet nga distanca, ndërsa çalon në mbrojtje dhe mesfushë. Ndeshja Shqipëri-Izrael do të gjykohet nga arbitri gjerman, Deniz Ajtekin. Sipas kompanive të basteve, Shqipëria është favorite për ta fituar ndeshjen teksa një triumf i kuqezinjve kuotohet me koefiçientin 22. ndërsa fitorja e miqve 3.2. Ndërsa barazimi ka një koefiçient 3. Ndeshja Shqipëri-Izrael do të luhet sot në mbrëmje në Elbasan Arena në orën 20.45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar.