KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Spanja magjepset nga Ermonela Jaho

Spanja magjepset nga Ermonela Jaho

Spanja është ngrysur dje në mbrëmje në të gjitha sheshet dhe sallat e saj me dramën e Otellos dhe zërin e Ermonela Jahos. Nga qëndra e Madridit deri në Alhambra 90 qytete dhe qëndra kulturore anembanë Spanjës janë bashkuar me transmetimin live të operës “Otello” ku rolin kryesor të Desdemonës e luan sopranoja shqiptare.

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho e cila po korr suksese të jashtëzakonshme në skenën operistike botërore, mbrëmë ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut spanjoll dhe jo vetëm atij në Teatro Real.

Mijëra qytetarë kishin mbushur, sheshet dhe auditoriumet në Spanjë për ta ndjekur drejpërdrejt, operën “Otello”, ku artistja shqiptare Ermonela Jaho interpretoi rolin kryesor të Desdemonës përkrah tenorit Gregory Kunde që luan Otellon. Nga skena e Teatro Real produksioni i konsideruar një nga më të suksesshmit dhe që mbrëmjen e djeshme kishte spektatorë edhe mbretin Felipe dhe mbretëreshën Letizia të Spanjës është ndjekur njëkohësisht në të gjithë qytetet spanjolle.

Shfaqja është ndjekur përmes projektorëve edhe në Sevilje kryeqytetin e bashkësisë autonome të Andaluzisë dhe në Granadë. Kapaciteti i Teatrit Mbretëror është e kufizuar për të akomoduar të gjithë ata që kanë shprehur interesim për ta parë operën.

Autoritetet bashkiake që kanë mbështetur këtë nismë shprehin bindjen se ky bashkëpunim mund të shtrihet në të ardhmen dhe të shërbejë për t’i dhënë fund “konceptit elitist” sa i përket operës.

Opera “Otello” e kompozitorit Xhyzepe Verdi e cila është e bazuar në veprën e Shekspirit, javën e kaluar hapi sezonin artistik të Teatrit Mbretëror në Madrid me një Desdemonë shpërthyese nga Ermonela Jaho.