KRYEFAQJA » LAJME » Speciale: Intervistë me ambasadorin turk në Shqipëri

Speciale: Intervistë me ambasadorin turk në Shqipëri

Më 15 korrik në Turqi u zhvillua një përpjekje për grusht shteti, e cila dështoi pas disa orësh. Përpjekja u krye nga një fraksion i forcave të armatosura turke, të cilat morën disa zona të Ankarasë, Stambollit dhe disa qytete të tjera. Rreth 300 njerëz u vranë. Motivet e kësaj përpjekjeje mbeten ende të paqarta. Autorët cituan një gërryerje të sekularizmit, pakësim të rendit demokratik dhe mosrespektimit të të drejtave të njeriut. Ndërsa qeveria fajësoi grupin ushtarak të lidhur me lëvizjen Gyleniste, të cilësuar si terroriste. Reagimet në vend dhe në arenen ndërkombëtare ishin të gjera. Për të hedhur dritë mbi realitetin, gazetari i RTSH Taulant Hatia, bisedoi me ambasadorin turk në Shqipëri, zotin Hysein Bajraktari.

Pse dështoi grushti i shtetit, sepse u duk një grusht i çuditshëm shteti ku ushtria nuk mori asnjë insitucion të rëndësishëm përveç radiotelevizionit shtetëror dhe urave në Samboll?

Së pari dëshiroj të shpredh dhe një herë falenderimet për mbështetjen që autoritetet shqiptare i dhanë Turqisë pas tentativës për grusht shteti nga Organizata terroriste FETO mbrëmjen e 15 korrikut. Ne kemi një thënie të urtë: “Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”. Mendoj se autoritetet shqiptare duke na dhënë këtë mbështetje kanë dëshmuar këtë miqësi.

Atë mbrëmje, Turqia u ndodh përballë një sulmi të gjërë. Organizata terroriste Fetoiste organizoi një tentativë për grusht shteti kundër rendit tonë demokratik e kushtetues. Një grup puçistësh në Forcat tona të Armatosura me tanke, helikopterë dhe avionë sulmuan egërsisht popullin, parlamentin, institucionet publike. Kjo tentativë që në fillim u përball me reagimin e fuqishëm të opinionit publik. Politikanët, shtetasit tanë, media jonë u bënë një grusht i vetëm. Përballë këtij bashkimi të fuqishëm, puçistët pësuan disfatë.

Por 246 shtetas turq, duke i rezistuar me guxim kësaj tentative, fatkeqësisht ranë dëshmorë nga bombat dhe armët e puçistëve. Ne ata i konsiderojmë si dëshmorë të demokracisë. Me këtë rast përkulem me respekt para veprës së dëshmorëve tanë dhe u uroj shërim të shpejtë më shumë se 2000 personave të plagosur.

Sigurisht është tepër e gabuar t’ia faturosh të gjithë ushtrisë sonë këtë organizim fetoist që kreu këtë çmenduri. Është deklaruar së elementët që ndërmorën këtë lëvizje terroriste përbëjnë vetëm 1.5% të ushtrisë sonë. Kjo tentativë për grusht shteti u organizua jashtë hallkave urdhëruese të komandës qendrore.

Sot jetojmë në shekullin e 21-të. Jetojmë në një epike kur sundojnë demokracia dhe shteti ligjor. A mund të pranohet një tentativë për të shtënë në dorë shtetin duke bombarduar parlamentin me avionë luftarakë, duke qëlluar institucionet publike që i shërbejnë popullit apo duke hapur zjarr ndaj civilëve? Për këtë arsye, natën kur ndodhi tentativa për grusht shteti, populli ynë u derdh nëpër rrugë. Ju i ndoqët ngjarjet, me mijëra njerëz me trupat e tyre e bënë mburojë. Fitoi demokracia. Nuk fituan plumbat, fitoi forca e popullit.

Ministria e Brendshme pezulloi mbi 8 mijë policë, Ministria e Arsimit pezulloi 15 mijë punonjës dhe u hoqi liçencat 20 mijë mësuesve. A ishin të përfshirë vërtetë këta mijëra njerëz në grushtin e shtetit dhe si u identifikuan ata kaq shpejt brenda 49 orëve në një kohë që qeveria nuk kishte asnjë informacion për ushtarakët e grushtit të shtetit?

Shikoni, po flasim për një strukturë terroriste që kishte infiltruar dhe kishte depërtuar brenda shtetit. Po të mos kishte një organizim kaq të madh, a mund të kishim një tablo kaq të tmerrshme më 15 korrik? Është realitet fakti se organizimi i FETO-s nuk është kufizuar vetëm në forcat e armatosura. Ata janë të organizuar dhe në sistemin gjyqësor, polici, shërbimin e inteligjencës, në arsim dhe ministri. Me metoda, shumica të paligjshme, kanë mundur të vjedhin pyetjet për emërimin e nëpunësve civilë duke grabitur të drejtën për punësim të personave të tjerë. Lidhur me strukturën e tyre brenda shtetit ka fjalime dhe video të kreut të FETO-s, Fetullah Gylen, i cili jeton në SHBA. Në njërën prej tyre bëhet thirrje “për të marrë fuqinë në të gjitha institucionet kushtetuese”.

Ju pyesni se si u identifikuan kaq shpejt brenda 48 orëve. Sigurisht që nuk filloi befas puna për gjetjet e strukturës Fetoiste në administratën publike. Edhe para tentativës për grusht shteti, prokuroria ishte vënë në lëvizje.

Prokuroria e Ankarasë kishte përgatitur një hetim të gjerë rreth organizatës FETO, shumë të dyshuar ishin identifikuar dhe dërguar në Gjykatën Penale të Ankarasë, në aktakuzën e përgatitur kishte të dhëna të rëndësishme për mënyrën e organizimit të FETO-s në forcat e armatosura. Gjithashtu e dimë se në operacionet e organizuara para 15 korrikut ishin shkarkuar nga detyra shumë nëpunës, se ishin zbërthyer në një masë të madhe strukturat e FETO-s në disa institucione tona të rëndësishme, si në polici.

Pra, shkarkimet nga detyra, pezullimet nga puna nuk janë rezultat i një pune disaorëshe. Janë rezultat i analizave të filluara me kohë. Pas 15 korrikut këto analiza u përshpejtuan.

Si do t’u përgjigjeshit hamendësimeve në mediat ndërkombëtare dhe në mediat sociale se e gjitha ishte teatër për qëllime politike?

Vetëm duke qeshur. Nëse u kujtohet, komente të tilla janë bërë edhe pas sulmeve të 11 shtatorit, pas sulmeve në Belgjikë dhe Francë. Cili shtet mund të luajë teatër duke masakruar shtetasit e vet? Ta shikosh këtë ngjarje si teatër është mungesë e madhe respekti ndaj njerëzve që humbën jetën apo ngelën invalidë gjatë këtyre sulmeve. Kështu mendoj unë.

Si do të jetë ndikimi i ngjarjeve në Turqi tek vendet fqinjë dhe në të gjithë Ballkanin?

Po, ne e dimë që aktiviteti i organizatës terroriste FETO nuk është i shtrirë vetëm në Turqi, kjo organizatë ka zgjatime të saj në shumë vende të botës, përfshirë këtu Ballkanin dhe Shqipërinë. Prioriteti ynë është shkatërrimi i kësaj organizate së bashku me zgjatimet e saj. Ne e dimë që zgjatimet e organizatës FETO janë aktivitete jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Rumania, Maqedonia dhe Kosova. Ne e vlerësojmë si tepër të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe hedhjen e hapave konkretë kundër zgjatimeve të kësaj organizate.

Si do të ndikojë kjo situatë në luftën kundër Shtetit Islamik dhe në problemin e refugjatëve?

Në listën tonë të organizatave terroriste bëjnë pjesë FETO, ISIS, PKK, YPG. Ne do ta vazhdojmë pa ndërprerë luftën kundër terrorizmit. Ne kujdesemi për 3 milionë refugjatë viktima të luftës, të cilët jetojnë si azilantë në vendin tonë. Po bëjmë atë që nuk e kanë bërë vendet e Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë ndryshim të politikës sonë për këto çështje.

Bashkimi Evropian e dënoi tentativën për grusht shteti por njëkohësisht doli kundër kthimit të dënimit me vdekje. Mendoni se do të ketë ndryshime në marrëdhëniet Turqi-BE?

Është e vërtetë që populli ynë ka kërkuar kthimin e dënimit me vdekje për terroristë e puçistë. Institucioni, i cili ka tagrin e shqyrtimit të kësaj kërkese, është Parlamenti, përfaqësuesi i vullnetit popullor, i cili e pati hequr atë në të kaluarën. Parlamenti do të bëjë shqyrtimin e kësaj çështjeje duke ndjekur hapat përkatëse. Nuk dëshiroj të komentoj më tej në lidhje me një çështje e cila është kompetencë e një organi legjislativ.

A keni dijeni nëse kriza ka ndikuar në cilësinë e turizmit dhe në sigurinë e zonave turistike? A ka pasur ndikim ky sektor? A ka shifra për anulime të rezervimeve? Pas bojkotit të bërë nga Rusia aktualisht cilat vende vijnë turistët e huaj në Turqi?

Në opinionin ndërkombëtar u përhapën komente të qëllimshme se gjoja gjendja e jashtëzakonshme do të ndikonte tek turizmi. Ju falenderoj për pyetjen tuaj dhe me këtë rast dëshiroj ta sqaroj sërish këtë çështje.

Vendimi për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ka të bëjë tërësisht me rendin dhe sigurinë publike. Aktualisht i gjithë transporti ajror, tokësor dhe detar funksionojnë normalisht. Qindra mijëra turistë të huaj, përfshirë këtu dhe shtetasit shqiptarë, janë duke kaluar të qetë pushimet e tyre në vendin tonë. Investitorët e huaj vazhdojnë të vijnë në Turqi. Aktivitetet tregtare dhe tregjet financiare funksionojnë me të gjithë gjallërinë e tyre. Si rrjedhojë, kjo gjendje e jashtëzakonshme nuk ka ndikuar aspak negativisht në ekonominë tregtinë dhe turizmin e një vendi si Turqia, e cila është një ndër 20 vendet me ekonominë më të zhvilluar në botë.

Sa të sigurt janë shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe shqiptarët të cilët po kalojnë pushimet në këtë vend?

Në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi janë rritur së tepërmi masat e sigurisë. Vëllezërit e mi shqiptarë të jenë të qetë. Mund t’i kalojnë pushimet të qetë, të sigurt dhe të gëzuar.