KRYEFAQJA » LAJME » Stadiumi “Adem Jashari” drejt standarteve të UEFA-s
Stadiumi "Adem Jashari" drejt standarteve të UEFA-s

Stadiumi “Adem Jashari” drejt standarteve të UEFA-s

Pranimi në UEFA ka ngritur edhe çështjen e infrastrukturës së futbollit në Kosovë dhe, për këtë arsye, qeveria ka akorduar një fond shtesë. Gati një milion eurove të investuara në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë do t’u shtohen edhe tre milionë të tjera nga arka e shtetit të Kosovës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka parashikuar këtë shumë për investimet emergjente që janë rekomanduar nga Komisioni i përbashkët i FIFA-s dhe UEFA-s, muajin e shkuar, e po ashtu edhe nga një inspektor norvegjez i UEFA-s, që ka treguar në detaje se çfarë duhet rregulluar për t’u pranuar stadiumi për ndeshje ndërkombëtare. Në stadiumin “Adem Jashari” është parashikuar të bëhet hidroizolimi i tribunave, rregullimi dhe zgjerimi i zhveshtoreve, mbyllja e hapësirave të hapura jashtë stadiumit, vënia e rrethit metalik përreth stadiumit në një gjatësi prej një kilometër dhe gardhi rrethues i fushës nga 4 deri në 6 metra, pastaj vendosja e ndriçimit, sistemi i zërit dhe e kamerave të sigurisë. Të gjitha këto punime parashikohen të kryhen gjatë verës dhe stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet e përfaqësueses në Eliminatoret e Botërorit “Rusia 2018”, ku Kosova pritet të lejohet të marrë pjesë.