KRYEFAQJA » LAJME » Stadiumi Loro Boriçi kontrollohet dhe miratohet nga UEFA
Stadiumi Loro Boriçi kontrollohet dhe miratohet nga UEFA

Stadiumi Loro Boriçi kontrollohet dhe miratohet nga UEFA

Stadiumi Loro Boriçi në Shkodër vazhdon të kontrollohet çdo ditë nga specialistë të huaj dhe shqiptarë. Pothuajse gjithçka është në rregull, me përjashtim të disa punimeve të vogla që janë drejt përfundimit. Mbrëmja e 31 gushtit në këtë stadium do të jetë festive pasi, para ndeshjes miqësore Shqipëri – Marok, është në program të organizohet një ceremoni përurimi ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Sa u përket kontrolleve, këtë radhë në mjediset e stadiumit verior kanë qenë specialistët e firmës përkatëse të autorizuar nga UEFA për vertetuar se punimet për ndriçimin e fushës janë bërë sipas parametrave që kërkohen nga selia europiane e futbollit. Pasi janë njohur së afërmi me pjesët në fjalë, madje edhe duke bërë disa herë prova me ndezjen dhe fikjen e dritave që rrethojnë stadiumin, specialistët janë shprehur shumë të kënaqur me gjithçka që kanë parë.

Sipas tyre, falë këtyre ndriçuesve të vendosur rreth stadiumit, të cilët kanë një cilësi shumë të lartë do të bëhet i mundur edhe transmetimi me cilësi shumë të lartë në High Definition (HD). Përfaqësuesit e UEFA-s kanë dhënë edhe miratimin e tyre, duke hapur kështu rrugën zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare. Ndeshjen e parë zyrtare, e cila është e vlefshme për kualifikimin në Rusi 2018, do ta luajë me 5 shtator kundër Maqedonisë në orën 20:45.