KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Stamboll, “Drejtësi, Paqe, Bashkim” tema e samitit të OBI
Stamboll, "Drejtësi, Paqe, Bashkim" tema e samitit të OBI

Stamboll, “Drejtësi, Paqe, Bashkim” tema e samitit të OBI

Në Stamboll vijojnë punimet e Samitit të 13-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Në të marrin pjesë udheheqës nga mbi 30 shtete të ndryshme anëtare të kësaj organizate. Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu u bëri thirrje pjesëmarrësve në Samit që të mbështesin një qëndrim të përbashkët përballë identifikimit të islamit me terrorizmin dhe kundër islamofobisë. “Islami e dënon terrorizmin”, tha kryeministri duke kërkuar që udhëheqësit e vendeve të kësaj organizate t’i kapërcejnë dallimet politike në interes të paqes. Tema e samitit këtë vit është “Drejtësi, Paqe, Bashkim” kurse Bashkimi Botëror i Dijetarëve Muslimanë ka bërë thirrje që motoja e Samitit të shndërrohet në program pune për të gjitha vendet anëtare të kësaj Organizate.
Sipas të dhënave nga vetë organizata Prodhimi i Brendshëm Bruto i 57 vendeve anëtare të Organizatës që marrin pjesë në këtë samit është 10 trilionë dollarë dhe përbën 11 përqind të të ardhurave të botës. Vëllimi i tregtisë së jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Samitin Islamik është 4,2 trilionë dollarë dhe korrespondon me 22 përqind të tregtisë botërore me vlerë totale 18,7 trilionë dollarë. Ndërsa tregtia që vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik bëjnë ndërmjet tyre i kalon 393 miliardë dollarëve. Vendet që kanë shkëmbimet më të shumta tregtare ndërmjet tyre janë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Turqia, Arabia Saudite, Irani, Indonezia dhe Malajzia.