KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Stamboll, udhëheqësit botëror bëjnë thirrje për fuqizimin e parimeve njerëzore

Stamboll, udhëheqësit botëror bëjnë thirrje për fuqizimin e parimeve njerëzore

Udhëheqës nga e gjithë bota u mblodhën në Stamboll të Turqisë, për një takim humanitar të nivelit të lartë me shpresat për të përcaktuar protokolle konkrete për të përballuar kriza të ardhshme refugjatësh. Takimi i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që vazhdon deri të mërkurën parashikohet të shërbejë si këmbanë alarmi për t’u marrë me katastrofat dhe zbutjen e ekspozimit të vendeve në zhvillim. Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje për konsolidimin e konsensusit global për parimet humanitare. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moom u bëri thirrje të pranishmëve që të ndihmojnë njerëzit në nevojë për një shans për një të ardhme më të mirë. Mbi 125 krerë shtetesh dhe qeverish u mblodhën së bashku me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Turqi, që është goditur rëndë nga kriza e imigrantëve në Evropë. Presidenti Rexhep Taip Erdogan u bëri thirrje vendeve që të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin. Turqia aktualisht strehon 2.7 milionë refugjatë të konfliktit të Sirisë. Takimi i Stambollit ka si objektiv zhvillimin e masave më efektive për atë që OKB-ja e ka quajtur gjendjen më të keqe humanitare globale që nga Lufta e Dytë Botërore, me rreth 130 milionë vetë që kanë nevojë për ndihmë. Synimi është që konferenca të mobilizojë mbledhjen e fondeve dhe që udhëheqësit të bien dakord për çështje nga marrja e masave për civilët e shpërngulur, e deri tek rikonfirmimi i angazhimit për të respektuar ligjin ndërkombëtar. Por skeptikët kanë shprehur shqetësimin se takimi nuk do të sjellë shumë rezultate konkrete.