KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Standard and Poor’s” shprehet pozitivisht për Shqipërinë
“Standard and Poor’s” shprehet pozitivisht për Shqipërinë

“Standard and Poor’s” shprehet pozitivisht për Shqipërinë

Agjensia ndërkombëtare e vlerësimit financiar “Standard and Poor’s” konfirmoi notën “B+” për borxhin afatgjatë të Shqipërisë dhe notën “B” për borxhin afatshkurtër, duke e vlerësuar perspektivën e financave publike të vendit si të qëndrueshme. “Ky vlerësim reflekton pikëpamjen tonë se, ecuria e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimi fiskal do të vazhdojnë, pavarësisht risqeve që mund të sjellin zgjedhjet e vitit 2017”, vlerëson “Standard and Poor’s”.
Sipas saj, rreziku i borxhit të lartë është zbutur nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe zgjatja e afatit mesatar të shlyerjes së këtij borxhi. “Standard and Poor’s” sugjeron që borxhi publik duhet të zbresë në 62% të prodhimit kombëtar, nga 72% që ishte në vitin 2015”.
“Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen tonë të rreziqeve të balancuara në renditjen e Shqipërisë gjatë 12 muajve të ardhshëm, pasi ne presim që Shqipëria do të vazhdojë konsolidimin fiskal që është ankoruar në marrëveshjen me FMN-në, ndërkohë që frenon rreziqet potenciale për ekonominë dhe politikat e saj” vlerëson agjensia. Ajo parashikon se rritja ekonomike do të vazhdojë të përmirësohet dhe mund të jetë mesatarisht 3.7 për qind në 4 vitet e ardhshme. Sipas raportit, ekonomia do të përfitojë edhe nga reforma në drejtësi, që do të përmirësojë klimën e biznesit dhe mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Për investimet e huaja vlerësohen projeket e TAP dhe Hec të Devollit, që do financojnë defiçitin e lartë të llogarisë korente që pritet të jetë rreth 13% e PBB-së gjatë 2016-2018. Rreziku i afërt, sipas “Standard and Poor’s” mbeten zgjedhjet, por qeveria është e pozicionuar më mirë sesa në vitin 2013 për t’i bërë ballë rritjes së deficitit buxhetor.