KRYEFAQJA » LAJME » Status i veçantë për naftëtarët

Status i veçantë për naftëtarët

Të gjithë ata persona që punojnë në sektorin e naftës dhe të gazit do të gëzojnë status të veçantë për shkak të kushteve të vështira të punës. Ky status i garanton naftëtarëve trajtim më të mirë financiar por edhe mbrojtje shoqërore.

“Nga llogaritë paraprake mendohet që do të përfitojnë 5000 persona. Po plotësojmë një gjë të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë shumë sakrifica në këtë industri” tha zoti Gjiknuri.

Ndërsa ministri i mirëqënies sociale dhe rinisë Blendi Klosi theksoi se “paga përcaktohet në kontratën kolektive të punës, duke vendosur një pagë dysheme që të jetë minimalisht 150% e pagës minimale”.

Krahas pagës minimale, në projektligj saktësohen edhe kushtet e daljes në pension për naftëtarët. Më tej zoti Klosi shtoi se “është parashikuar mosha e daljes në pension dhe vjetërsia e nevojshme për të përfituar këtë pension të ulët. Për meshkujt është parashikuar që të ulet mosha në 60 vjeç ndërsa për gratë të ulet me 5vjet në raport me punët normale që rakordohet krahasimisht me burrat”.

Për një nga përfituesit statusi i veçantë u vlerësua kështu : “Është një nga lajmet më të mira pas 98 vitesh nga fillimi i zhvillimit të industrisë së naftës” tha ai. Gjithashtu personat me statusin e naftëtarit do të mbështeten në nevojat për strehim, po ashtu këta persona do të jenë përfitues në privatizimin e industrisë së naftës dhe gazit në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimin e punës.