KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Stoltenberg: Qasje politike dhe ushtarake ndaj Rusisë
nato

Stoltenberg: Qasje politike dhe ushtarake ndaj Rusisë

Udhëheqësi kryesor civil i NATO-s ka shpërfillur komentet e kryediplomatit gjerman i cili e ka akuzuar aleancën ushtarake për “nxitje lufte” duke thënë se blloku i 28 shteteve ka nevojë për përgjigje ushtarake dhe dialog politik kur bëhet fjalë për Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka bërë këtë koment më 20 qershor, një ditë pasi deklarata e ministrit të jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier është publikuar në gazetën gjermane, “Bild am Sonntag”. NATO po kryen manovra ushtarake të mëdha në Poloni dhe Lituani, ndërsa një samit i aleancës ushtarake është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm në Varshavë. Mirëpo, kritikat e kryediplomatit gjerman kanë rritur frikën se koalicioni qeveritar gjerman mund të jetë duke e ndryshuar qasjen ndaj Moskës. Steinmeier, nga partia social demokrate gjermane ka thënë se NATO po e “ndez situatën përmes nxitjes së luftës”. Por Stoltenberg ka thënë se aleanca është e unifikuar në nevojën e saj për qasje të dyanshme ndaj Rusisë. Aleanca gjatë këtij muaji ka kryer manovra ushtarake në Poloni dhe Lituani të cilat ishin ndër më të mëdhatë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ushtrimet përfshinin 31 mijë trupa nga 24 shtete anëtare dhe vende partnere të NATO-s, përfshirë Gjermaninë. Gjermania ndërkaq planifikohet të udhëheqë një nga katër batalionet që aleanca do ta vendos në Estoni, Letoni, Lituana dhe Poloni, veprim ky që ka për qëllim të zvogëlojë frikën e vendeve anëtare të Lindjes pas aneksimit që Rusia i bëri gadishullit ukrainas të Krimesë.