KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmet e 11 shtatorit: Senati amerikan miraton ligjin që lejon të afërmit e viktimave të padisin Arabinë Saudite

Sulmet e 11 shtatorit: Senati amerikan miraton ligjin që lejon të afërmit e viktimave të padisin Arabinë Saudite

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një projektligj, që do të lejojë të mbijetuarit dhe të afërmit e rreth 3 mijë viktimave të 11 shtatorit të hedhin në gjyq qeverinë e Arabisë Saudite për dëmet e shkaktuara nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Qeveria e Riadit ka mohuar përfshirjen në sulme, aktet më të rënda terroriste në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, 15 nga 19 rrëmbyesit e avionëve që morën drejtimin e katër avionëve të pasagjerëve për të kryer sulmet në Nju Jork dhe Uashington, më vonë u identifikuan si shtetas arabo-sauditë. Arabia Saudite, ka kërcënuar se do t’i marrë miliarda dollarë ekonomisë amerikane, nëse projektligji i miratuar nga Senati shndërrohet në ligj. Ligji i ri amerikan, i jep të drejtën familjeve të viktimave të ngrenë akuza ndaj Arabisë Saudite për dëmet e shkaktuara nga roli që mund të ketë luajtur në sulmet e 11 shtatorit. Paketa ligjore e miratuar mbrëmë nga Senati duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Barak Obama. Presidenti Obama ka thënë se do t’i vërë veton ligjit, nëse ai miratohet në Kongres, duke vlerësuar se ky ligj do t’i ekspozonte amerikanët jashtë vendit ndaj rreziqeve ligjore.