KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmet kamikaze në Stamboll: Ndalohen tre qytetarë rusë
Sulmet kamikaze në Stamboll: Ndalohen tre qytetarë rusë

Sulmet kamikaze në Stamboll: Ndalohen tre qytetarë rusë

Pas sulmeve kamikaze në qendër të Stambollit, ku mbetën të vrarë 10 turistë të huaj dhe u plagosën 15 persona të tjerë, policia turke ka ndaluar tre qytetarë rusë në provincën jugore të Antaljas sepse dyshohenpër lidhje me ISIS. Njoftimin e dha agjencia shtetërore e shtypit Anadolu, sipas së cilës të akuzuarit u kanë dhënë mbështetje logjistike zhihadistëve. Sipas hetuesve nuk është e qartë nëse kanë patur rol në përgatitjen e atentatit.

Ndërkohë mediat turke sot në mëngjes kishin lajme se gjatë muajit të fundit shërbimet sekrete turke kishin dhënë dy alarme të ndryshme për të gjithë forcat e sigurisë në vend për sulme të mundshme të ISIS në një shkallë të gjërë kundër turistëve të huaj. Lajmërimet, që datojnë me 17 dhjetor dhe 4 janar, alarmonin rreth qëllimeve të zhihadistëve që kishin hyrë nga Siria se do të bënin sulme kundër objektivave turistike dhe kundër përfaqësive diplomatike të vendeve të NATO-s në Turqi, të cilat marrin pjesë në luftën kundër ISIS.