KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmet terroriste në Paris, Franca shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbyll kufijtë
Sulmet terroriste në Paris, Franca shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbyll kufijtë

Sulmet terroriste në Paris, Franca shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbyll kufijtë

Pas sulmeve terroriste në Paris, presidenti Fransua Hollande ka thirrur një mbledhje të kabinetit të emergjencave duke vënë në veprim të quajturin plan alfa të kuq, i vlefshëm në çdo rast kur ndodh ndonjë sulm terrorist në territorin francez. Në konferencën e shkurtër për shtyp, presidenti Hollande, ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave tha se “populli francez duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i qetë, pavarësisht çfarë po ndodh”. Ai tha se “janë duke u kryer të gjitha operacionet e nevojshme në këtë situatë, ndërsa forcat e policisë janë në kërkim të atentatorëve në Paris”.
Presidenti bëri të ditur se ka urdhëruar mbylljen e kufijve të Francës, për të shmangur ndonjë largim të mundshëm të terroristëve.
Menjëherë pas sulmeve në Paris kanë reaguar udheheqësit botëror.
Në një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama u shpreh se “sulmet në Paris janë një përpjekje nga njerëz të egër për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përherë në krah të Francës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe do të bëjnë gjithçka mundet për të dërguar terroristët përpara drejtësisë”. Zoti Obama u shpreh se nuk dëshiron të spekulojë në lidhje me autorët e këtyre sulmeve në Paris, por njoftoi se në mënyrë urgjente edhe autoritetet amerikane kanë përshkallëzuar masat e sigurisë kryesisht në mjetet e transportit publik dhe infrastrukturën më të rëndësishme në vend, ashtu sikurse edhe shfaqjet publike, për shkak të ngjarjeve të fundit në Paris.
Kryeministri britanik Cameron, ka shprehur mbështetje për francezët, sikurse tha në këtë natë tmerri dhe terrori për të gjithë, jo vetëm për popullin francez.
Kancelarja gjermane Merkel është shfaqur “thellësisht e shokuar” nga sulmet terroriste në Paris.
Edhe Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin në BE, është shprehur me “dhimbje dhe pikëllim për ngjarjet e Parisit. Mendimet e mia janë me popullin e prekur nga kjo ngjarje. BE qëndron në krah të Francës” shprehet Hahn
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shkruan se është i shokuar dhe i tmerruar nga sulmet në Paris. I qëndrojmë pranë dhe jemi të bashkuar me popullin e Francës. Terrorizmi nuk do ta mposhtë kurrë demokracinë, shkruan Stoltenberg.
Kryeministri spanjoll Mariano Rahoi ka ngushëlluar të prekurit nga kjo ngjarje. “Mendimet tona janë me ata që janë tronditur nga lajmet më të fundit që po dëgjojmë nga Parisi. Franca ka përkrah edhe Spanjën në këto momente të vështira” shprehet zoti Rahoi.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare për Francën dhe qeverinë e saj. “Është një luftë e vërtet! Mbështetje totale e Shqipërisë për Francën dhe qeverinë e saj në këto momente tmerri dhe dhimbje. Rroftë Franca”, shkruan në Tuiter kryeministri shqiptar Edi Rama.