KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmet terroriste në Stamboll, liderët botërorë shprehin ngushëllimet
ambulanca

Sulmet terroriste në Stamboll, liderët botërorë shprehin ngushëllimet

Liderët europianë pjesëmarrës në samitin për referendumin britanik shprehën ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre me familjet e viktimave dhe të plagosurit e sulmit që shkaktoi të paktën 36 viktima mbrëmjen e së martës në aeroportin Ataturk të Stambollit. Kancelarja gjermane Merkel tha se Gjermania qëndron pranë popullit turk, ndërsa kërkoi që të gjitha vendet të jenë të bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Presidenti francez Fransua Hollond u shpreh se sulme të tilla kanë synim ta bëjnë situatën në Turqi edhe më të vështirë. Ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me të plagosurit shprehu edhe kreu i Këshillit Europian Donald Tusk. Shtëpia e Bardhë e konsideroi sulmin të urryer, duke theksuar se Amerika qëndron e palëkundur në mbështetje të Turqisë. Duke shprehur ngushëllimet e tij, kryeministri belg, Sharl Mishel, vendi i të cilit u trondit nga sulme të ngjashme pak muaj më parë, bëri thirrje për qetësi dhe solidaritet. Sulmi u dënua edhe nga dy kandidatët për president të SHBA-ve Donald Trump dhe Hilari Klinton, por në mënyra të ndryshme, duke reflektuar në këtë mënyrë përqasje të ndryshme përsa i përket politikës së jashtme të SHBA-ve, sidomos në lidhje me kërcënimin terrorist. Sipas Tramp, kërcënimi terrorist nuk ka qenë ndonjëherë më i madh. “Duhet të marrim hapa për të mbrojtur Amerikën nga terroristët dhe të bëjmë gjithçka mundim për përmirësimin e sigurisë në vend”, ishte deklarata e Tramp. Ndërsa Klinton theksoi statusin e Turqisë si një aleate e SHBA-ve dhe nevojën për të bashkëpunuar me vende të tjera në rajon.