KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmi në Orlando, liderët botërorë shprehin ngushëllimet

Sulmi në Orlando, liderët botërorë shprehin ngushëllimet

“Është kaq e frikshme të shohësh se e keqja dhe urrejta e një personi të vetëm mori jetën e më shumë se 50 të tjerëve. Megjithëse akte të tilla na çojnë në pikëllim, ne duhet të ecim përpara me vendosmëri për të jetuar në një mënyrë të hapur dhe tolerante”. Kështu u shpreh kancelarja gjermane Merkel, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, në lidhje me sulmin e armatosur në Orlando. Homologu i saj kinez Li Keqiang u shpreh se Kina kundërshton çdo formë dhune apo terrorizmi. Ngushëllime për viktimat ka shprehur edhe kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili tha se ishte i shokuar nga numri i viktimave. Shefi ekzekutiv i Afganistanit Abdullah Abdulla, dënoi aktin duke theksuar se terrorizmi nuk njeh fe apo kufi. Kryeministri izraelit Netanjahu deklaroi se Izraeli është pranë SHBA-ve në këtë moment të vështirë. “Terrorizmi po kërcënon të gjithë botën”, theksoi ai. Edhe Danimarka ka reaguar përmes ministrit të Jashtëm, duke e quajtur incidentin një sulm burracak. Kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, kanë shprehur ngushëllimet e tyre përmes telegrameve që u kanë dërguar organeve ligjvënëse dhe ekzekutive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.