KRYEFAQJA » LAJME » SUPERKUPA E SHQIPËRISË, SONTE DIREKT NË RTSH
superkupa e shqiperise, skenderbeu, kuksi, 2016

SUPERKUPA E SHQIPËRISË, SONTE DIREKT NË RTSH

Pavarsisht se ka vetëm vlerë simbolike dhe është një trofe rishtare, pasi është vetëm në edicionin e saj të 28-të, Superkupa e Shqipërisë ka shërbyer gjithmonë si “uvertura” e sezonit të ri futbollistik dhe si shansi që u jepet dy skuadrave që kanë dominuar sezonin e mëparshëm futbollistik. Edhe takimi i sotëm, që vë përballë njëra-tjetrës kampionen në fuqi, Skënderben, me fituesen e Kupës së Shqipërisë, Kukësin. Korçarët, të cilëve iu mohua pjesëmarrja në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve për shkak të një dënimi një-vjeçar nga UEFA dhe, në vend të tyre shkoi nënkampionia, Partizani, do të synojnë ta fitojnë këtë trofe për herë të 3-të në këto 4 sezonet e fundit. Nga ana tjetër, Kukësi, i cili, që nga koha kur është ngjitur para 5 vjetësh në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore, është shndërruar në një protagonist, arriti vetëm sezonin e shkuar të fitojë trofeun e parë, teksa mundi në finalen e Kupës Shqipërisë Laçin. Koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën në barazim 1-1, ndërsa verilindorët triumfuan me shifrat 5-3 pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave, në atë që ishte finalja e tretë radhazi e tyre në veprimtarinë e dytë të futbollit shqiptar. Të dyja skuadrat vijnë në sfidën e sotme të Superkupës me ndryshime, pasi Skënderbeu drejtohet nga ish-trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli, ndërsa Kukësi nga trajneri Ernest Gjoka. Ndeshja Kukësi-Skënderbeu, që do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, do të sillet për sportdashësit drejtpërdejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:00.