KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Tabaku: Afera e Karpenit më korruptivja e qeverisë Rama
Tabaku: Afera e Karpenit më korruptivja e qeverisë Rama

Tabaku: Afera e Karpenit më korruptivja e qeverisë Rama

PD akuzoi të premten kryeministrin Rama për një tjetër aferë korruptive, sipas saj më e dyshimta e korruptivja gjatë tre viteve që qeveria e tij është në pushtet. Fjala është për dhënien me konçesion të një porti në Karpen të Kavajës, pak kilometra larg Portit të Durrësit porti më i madh i vendit. Sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, koncesioni u dha ndërsa zoti Rama “krijoi mjegullën e duhur me zhurmën për reformën në drejtësi”. Sipas saj, 1700 ha tokë ju dha “kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh”.”Kjo kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto” ironizon zonja Tabaku. Por dyshimet sipas saj janë më të mëdha pasi kompania “… u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit”. Për PD “Ky së bashku me Koncesionin e Rrugës së Kombit, është një skandal mbi skandalet në përmbledhjen e gjatë të abuzimeve 3 vjecare të Edi Ramës”. “Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë e të japë llogari për këtë rast. Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj!” tha në deklaratën e saj në emër të PD deputetja e saj Jorida Tabaku.