KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: 2015-ta me numrin më të ulët të vrasjeve në 25 vjet
Ligji për sigurinë publike, Tahiri: Do të reflektoj rreth vërejtjeve të presidentit, por ligji do të miratohet

Tahiri: 2015-ta me numrin më të ulët të vrasjeve në 25 vjet

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë të martën para gazetarëve dhe ka folur me nota pozitive për punën e policisë së shtetit gjatë vitit që sapo lamë pas. “Janë evidentuar gjatë vitit 2015 plot 54 vrasje, që përbëjnë numrin më të ulët absoltisht, krahasuar me çdo vit të 25 viteve të fundit” tha zoti Tahiri. Sipas tij ky është tregues i punës pozitive të Policisë së Shtetit, e nga ana tjetër është një detyrim i shtuar për të ruajtur këtë tendencë suksesi edhe këtë vit, por edhe vitet në vijim. Më tej ministri i brendshëm përmendi se “Gjatë vitit 2015 janë ndaluar dhe arrestuar 11 mijë e 461 persona, nga të cilët 6098 janë në masë arresti me burg”. Shifra të tjera pozitive ai nënvizoi 18,3 përqind më pak vjedhje me armë, 16,6 përqind më pak vjedhje prone dhe 33,7 përqind më pak shkatërrim prone me eksploziv.
Por zoti Tahiri pranoi se në fushën e sigurisë rrugore të dhënat shënojnë rritje. Sipas tij numri i aksidenteve është 4.5 për qind më shumë krahasuar me me 2014. Sfida e policisë së shtetit për vitin 2016, sipas ministrit Tahiri do të jetë ajo e pajisjes me kamera në trup të të gjithë policëve në terren, ku media do të ketë aksesin për të parë çdo aksion të ndërmarrë.
Në analizën e 2015 zoti Tahiri shënoi edhe zhvillimet rreth ngjarjes se 21 janarit 2011 para selisë së qeverisë shqiptare, ku gjatë një proteste të opozitës së majtë të asaj kohe katër persona humbën jetën. Ministri i Brendshëm ka kujtuar se ka ngritur padi ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, ndërsa ka bërë përgjegjëse Prokurorinë që sipas tij ka mbyllur çështjen.
Lidhur me deklaratat e zotit Tahiri ka reaguar edhe PD. Në një deklaratë të saj nënvizohej se “Ministri i krimit dhe korrupsionit, njolla e turpit e Shqipërisë duhet të largohet njëherë e mirë, një orë e më parë si parakusht për stabilizimin e rendit dhe sigurisë dhe duhet të vihet para drejtësisë”.