KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: Fund kaosit të adresave dhe manipulimit të zgjedhjeve!
Tahiri: Fund kaosit të adresave dhe manipulimit të zgjedhjeve!

Tahiri: Fund kaosit të adresave dhe manipulimit të zgjedhjeve!

Ministria e Brendshme ka prezantuar projektin për regjistrin e integruar të adresave dhe shtetasve, në një përpjekje për t’i dhënë fund kaosit shumëvjeçar të sistemit të adresave të popullatës. “Sa jemi dhe ku jemi?”. Këtyre pyetjeve që na mundojnë këto vite, do t’u japim fund, tha ministri i brendshëm Saimir Tahiri. “Mos­pasja e këtij sistemi për shkak se regjistri kombëtar i adresave nuk është populluar, për shkak se dy shtyllat tona themelore nuk komunikojnë me njëra­tjetrën, sot ka pasoja që ndikojnë drejtpërdrejt te kapaciteti i institucioneve për të dhënë shërbim ndaj qytetarit, ndikojnë drejtpërdrejt te jeta e përditshme e qytetarëve dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve që mund të japë shteti ndaj qytetarëve” tha ministri. Sipas tij në thelb projekti synon shkrirjen në një regjistër unik, të regjistrit të adresave me atë të gjëndjes civile. Zoti Tahiri kujtoi ndërkohë se mungesa e adresave të sakta të qytetarëve ka qënë një shteg për manipulim të zgjedhjeve. “Ju shumë mirë e dini që në lista zgjedhore jeni mësuar gjithë këto kohë të keni kodin specifik, 999. Ata janë shtetasit që janë në listën zgjedhore, po nuk dihet ku banojnë… Kjo cënon parimet e sistemit zgjedhor, barazinë e votës së qytetarëve dhe ka shërbyer si shteg për manipulimin e zgjedhjeve, me shtetas që ekzistojnë vetëm në listë, por jo në territor”, tha ministri i brendshëm Saimir Tahiri.