KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: Kërkesat për azil e shifrat e deklaruara nga Gjermania apo BE nuk përputhen me shifrat tona
Tahiri: Kërkesat për azil e shifrat e deklaruara nga Gjermania apo BE nuk përputhen me shifrat tona

Tahiri: Kërkesat për azil e shifrat e deklaruara nga Gjermania apo BE nuk përputhen me shifrat tona

Ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, ka përforcuar të martën deklaratat e një dite më parë të lëshuar nga kryeministri Rama, se shumica dërrmuese e shqiptarëve që kërkojnë azil janë emigrantë shqiptarë me banim në vendet e BE-së, që shpërnbulen në vendet të tjera. “Numri i daljeve të shtetasve shqiptarë në 7 muajt e parë është rritur me 0.6 % në krahasim me një vit më parë. Kjo do të thotë se kërkesat për azil e shifrat e deklaruara nga Gjermania apo BE nuk përputhen me shifrat tona në pikat kufitare të vendit tone” argumentoi ai. Ai tha se u ka kërkuar autoriteteve gjermane të heqin të gjithë faktorët nxitës që kanë shërbyer si motiv për shumë shtetas të kërkojnë azil. “Në përmbushje të detyrës time i kam kërkuar në mënyrë intensive homologut gjerman shuarjen e të gjithë faktorëve ftues në vendet pritëse, që kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë si motiv që shumë shtetas udhëtojnë për të kërkuar azil, të cilët të nxitur nga këta faktorë në vendin pritës marrin iniciativën për të udhëtuar me këtë qëllim” tha ministri Tahiri . “Shqipëria të klasifikohet në listën e vendeve me origjinë të sigurtë, që do të shkurtonte në mënyrë drastike kërkesat për azil dhe nga ana tjetër do të thotë dekurajim dhe mos mbajtjen gjallë të shpresave të qytetarëve për të kërkuar dhe përfituar azil në mënyrë të paligjshme në Gjermani apo çdo vend tjetër” shtoi ai. Zoti Tahiri bëri të ditur se të njëjtën gjë i ka kërkuar dhe kryeministri Rama kancelares Merkel dhe ky është një proces që sipas tij ka nisur në Gjermani.
Një ditë më parë kreu i opozitës Lulzim Basha reagoi ashpër pas deklaratave të kryeministri Rama se shqiptarët që kërkojnë azil në Europë janë në shumicë nga Greqi, duke i quajtur ato tallje me mijëra njerëz me aktin ekstrem që bëjnë duke ikur natën nga shtëpitë e tyre. Zoti Basha tha se situata e krijuar është pasojë e keqqeverisjes dhe se “Vetëm ndarja me këtë qeveri e me këtë kryeministër mund ta normalizojë situatën e ta frenojë eksodin dramatik të shqiptarëve”.
Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, nga janari deri në qershor të këtij viti janë 21.806 shqiptarë që kanë paraqitur kërkesën për të marrë azil politik në Gjermani