KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: Kontrolle dhe gjoba për përdoruesit e celularit në makinë

Tahiri: Kontrolle dhe gjoba për përdoruesit e celularit në makinë

627 persona janë plagosur në 507 aksidente të ndodhura në 3 muajt e fundit në rrugët e vendit. Shkaqet janë disa, por 15 për qind e aksidenteve vijnë nga përdorimi i telefonit nga drejtuesit e mjeteve. Këto satistika duket se kanë shtyrë ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të paralajmërojë se me nisjen e muajit nëntor, Policia Rrugore do të ashpërsojë kontrollet dhe vendosjen e gjobave. Aktualisht, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit ndëshkohet deri në 1 mijë lekë të reja, që për policinë është një shifër qesharake në krahasim me rrezikun dhe pasojat që sjell ky veprim. Ekspertët rrugorë kanë propozuar që gjoba për përdorimin e telefonit në momentin e drejtimit të makinës të variojë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja. Zoti Tahiri tha se me ndryshimet e reja në Kodin Rrugor dhe më ashpërsimin e masave për mosvendosjen e rripit të sigurimit, pasojat me vdekje nga aksidentet janë ulur.