KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri letër Nishanit: Gjykatat shqiptare po i kundërvihen policisë
Tahiri letër Nishanit: Gjykatat shqiptare po i kundërvihen policisë

Tahiri letër Nishanit: Gjykatat shqiptare po i kundërvihen policisë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, vazhdon të komunikojë me presidentit Bujar Nishani, me shqetësimin se gjykatat shqiptare po i kundërvihen policisë. Në një letër që u bë publike të shtunën, më 12 mars, zoti Tahiri i referohet një rasti të pak ditëve më parë në Gjykatën e Vlorës, kur gjyqtari Laurent Fuçia e cilësoi si të paligjshëm arrestimin nga policia të një personi të arrestuar për armbajtje pa leje dhe vendosi një masë sigurie të lehtë, detyrim paraqitje. Me këtë rast ministri i kërkon presidentit ta vlerësojë këtë ngjarje, pasi “veprimi i gjyqtarit ka indinjuar me të drejtë punonjësit e policisë së Vlorës” shkruan ai. Në letrën drejtuar presidentit Nishani edhe në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë Drejtësisë, si dhe ministrit të drejtësisë Manjani, zoti Tahiri shprehet se gjyqtarët po bëjnë pakt me shkelësit e ligjit dhe lirimi i këtyre të fundit dekurajon policinë gjatë detyrës. Akoma më shumë, shkruan zoti Tahiri, qytetarët ndjehen të kërcënuar nga gjyqtarët që marrin vendime haptazi në favor të shkelësve të ligjit.
Një letër me përmbajtje gati të ngjashme, zoti Tahiri i ka dërguar zotit Nishani edhe në prill të vitit 2014. Në ato kohë ministri i brendshëm, i cili kishte pak muaj në detyrë, shprehej për ato që ai i cilësonte “ekfektet shkatërruese mbi pritshmërine e qytetarëve për drejtësinë”, të cilat “betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë”. Gati dy vjet më pas, argumentat janë të njëjtë, ndërsa gjyqësori shqiptar është kryqëzuar për nivelin e lartë të korrupsionit në rradhët e tij.