KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri në Bruksel: Shqipëria ka marrë mbështetje!
Tahiri në Bruksel: Shqipëria ka marrë mbështetje!

Tahiri në Bruksel: Shqipëria ka marrë mbështetje!

Shqipëria ka marrë mbështetjen e BE për të gjitha reformat që ka ndërmarrë deri më sot. Deklarata është bërë për mediat në Bruksel nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, pas takimit me Komisionerin Dimitris Avramopoulos dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian në Bruksel, Kristian Danielson. “Mora mbështetje totale nga Komisioneri, përshëndetjen e tij për të gjitha reformat që kemi ndërmarrë deri më sot, dhe vlerësimin për hapat e duhur që po hedh Shqipëria, në drejtimin e duhur për Integrimin Europian” tha zoti Tahiri. Bashkëbiseduesit kanë ndarë “…shqetësimin për sfidat dhe punën e përbashkët që duhet të bëjmë në një axhendë të mirëkoordinuar me vendet e rajonit dhe me Bashkimin Europian…lidhur me arritjen e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, në menaxhimin e krizës së refugjatëve dhe në luftën kundër terrorizmit” shtoi ministri i brendshëm shqiptar. Ndërsa për hapjen e negociatave me BE, zoti Tahiri tha se “ajo që vlerësojmë më shumë është rruga që duhet të bëjë Shqipëria për të garantuar hapjen e negociatave. Në këtë kuadër, “Reforma në Drejtësi (si kyçi i prioriteteve), Byroja Kombëtare e Hetimit, përshëndetja e Komisionerit për rezultatet që kemi arritur deri më sot në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe narkotikëve, na bëjnë optimistë se jemi në rrugën e duhur” tha ai.
Duke ju përgjigjur interesit të mediave për emigrantët nga Shqiperia ministri Tahiri tha se “ende sot nuk ka shenja që të bëjnë të mendosh se Shqipëria është në rrezikun primar të kalimit të refugjatëve”. Në lidhje me luftën kundër terrorizmit, zoti Tahiri kujtoi se Shqipëria po ngre një qendër rajonale për adresimin e radikalizmit që në fazat paraprake, me partneritetin e ngushtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerë strategjikë.