KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: Presidenti të dekretojë ligjin për masat shtesë të sigurisë
Tahiri: Presidenti të dekretojë ligjin për masat shtesë të sigurisë

Tahiri: Presidenti të dekretojë ligjin për masat shtesë të sigurisë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka bërë thirrje presidentit Bujar Nishani të dekretojë ligjin për masat shtesë të sigurisë i miratuar prej disa kohësh nga parlamenti shqiptar, por i kundërshtuar nga opozita. “Unë shfrytëzoj rastin për të ngritur nivelin e vetëdijes dhe të ndërgjegjes institucionale, por dhe shoqërore. Për të qenë më të sigurtë na duhet të lëshojmë pak nga liria, qoftë dhe privatësia jonë” tha ministri Tahiri pas mbledhjes së Komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare. “Unë preferoj të kem një shkollë fëmijësh shumë më të sigurtë dhe të pajisur me kamera, sesa të dëgjoja ata që dalin e kundërshtojnë dhe i bëjnë thirrje Nishanit të mos e dekretojë dhe opozita të mos e votojë. Preferoj që kalamajt të jenë të sigurtë, sesa të mos jenë të sigurtë dhe të pafilmuar” shtoi ai.Zoti Tahiri tha se pas sulmeve në Bruksel janë forcuar masat e sigurisë dhe shkëmbimi i informacioneve për tu përballur me çdo situatë të mundshme. “Shqipëria nuk mund të jetë imune dhe nuk mund të neglizhojmë çdo lloj sinjali pavarësisht a është afër vendit tonë apo jo. Kemi rritur nivelin e sigurisë së policisë së shtetit dhe po shkëmbejmë informacione me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese dhe SHISH për tu përballur me çdo situatë potenciale. Kjo është një luftë që vazhdon dhe asnjë nuk mund ta përballojë vetëm” tha ministri i brenshëm shqiptar.